Ballina Artikuj Ndërtimi i personalitetit të njeriut sipas hartës kuranore

Ndërtimi i personalitetit të njeriut sipas hartës kuranore

Mr. Hasan Baftijari

*Orientimi i jetës, ndërtimi intelektual dhe parimor me dinjitet, dhe lumturia si fryt i udhëzimit hyjnor.*
قال الله تعالى:
﴿قَدْ أَفْلَحَ مَنْ زَكَّاهَا ۝ وَقَدْ خَابَ مَنْ دَسَّاهَا﴾
“Ka shpëtuar ai që e pastron shpirtin e vet, ndërsa ka dështuar ai që e njollos atë.” (Esh-Shems, 9–10)
Njeriu nuk lind me një personalitet të përfunduar, por me mundësinë për ta ndërtuar atë. Ai formohet nga ajo që beson, nga ajo që mendon, nga ajo që dëshiron dhe, mbi të gjitha, nga ajo që vepron. Kurani nuk erdhi vetëm për t’i treguar njeriut se çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar, por për ta ndërtuar atë nga brenda, për t’i dhënë drejtim mendjes, pastërti zemrës dhe dinjitet sjelljes. Prandaj, personaliteti kuranor nuk është thjesht personaliteti i njeriut që lexon Kuranin, por i atij që e shndërron Kuranin në hartën e jetës së tij. Një njeri mund të ketë dije, por të mos ketë urtësi; mund të ketë pasuri, por të mos ketë fisnikëri; mund të ketë pozitë, por të mos ketë karakter. Kurani synon të ndërtojë njeriun që di ku po shkon, përse jeton dhe çfarë përgjegjësie mban përpara Allahut dhe njerëzve.
Harta kuranore e ndërtimit të personalitetit mbështetet mbi tri objektiva madhështore: t’i japë njeriut orientim në jetë, ta ndërtojë intelektualisht dhe parimisht me dinjitet dhe ta udhëheqë drejt lumturisë së vërtetë. Sepse njeriu që nuk ka orientim mund ta përdorë dijen në drejtim të gabuar; ai që nuk ka parime mund ta shesë dinjitetin për interes, ndërsa ai që nuk ka qetësi shpirtërore mund t’i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote dhe përsëri të mos jetë i lumtur.
1. ORIENTIMI – KIBLA E JETËS DHE RRUGA E DREJTË (الصراط المستقيم)
﴿اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ﴾
“Na udhëzo në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha, 6)
Kur Muhamedi ﷺ zbriti nga shpella Hira, ai nuk solli me vete një program për ndërtimin e shkollave, universiteteve apo institucioneve shkencore. Ai solli një mesazh që do ta ndryshonte historinë e njerëzimit. Por këtu lind një pyetje e madhe: Nëse shpallja e parë ishte “Lexo!”, përse Pejgamberi ﷺ nuk filloi me ndërtimin e shkollave, por me thirrjen në besim, në teuhid dhe në njohjen e Allahut?
Sepse Kurani nuk erdhi vetëm për t’i mësuar njeriut si të lexojë, por për t’i mësuar përse duhet të lexojë, për kë duhet të jetojë dhe në cilin drejtim duhet ta përdorë dijen e tij. Nuk ishte fjala vetëm për ndërtimin e një mendjeje të arsimuar, por për ndërtimin e një njeriu të orientuar.
Dituria i jep njeriut mundësi, por besimi i jep drejtim. Dituria mund t’i tregojë njeriut si të arrijë një qëllim, por besimi e mëson se cilat qëllime ia vlejnë të ndiqen.
Pejgamberi ﷺ nuk e kundërshtoi dijen me besimin. Përkundrazi, ai e vendosi dijen në shërbim të besimit dhe të përgjegjësisë morale. Prandaj, thirrja e tij e parë u përqendrua në njohjen e Allahut, në pastrimin e besimit dhe në ndërtimin e ndërgjegjes. Kjo nuk do të thotë se arsimi dhe institucionet e dijes nuk kishin rëndësi, por se shpallja filloi me themelin mbi të cilin do të ndërtoheshin ato.
Përse pesë ajetet e para të sures El-Alak e vendosin njeriun në qendër?
Le t’i lexojmë me vëmendje pesë ajetet e para të shpalljes:
﴿اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ ۝ خَلَقَ الْإِنْسَانَ مِنْ عَلَقٍ ۝ اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ ۝ الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ ۝ عَلَّمَ الْإِنْسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ﴾
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi! E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku e ngjitur. Lexo! Zoti yt është më Bujari, i Cili mësoi me anë të penës, ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alak, 1–5)
Vëreni me kujdes ndërtimin e këtyre ajeteve. Në vetëm pesë ajete, fjala الإنسان – njeriu përmendet shprehimisht dy herë, ndërsa njeriu është edhe i adresuari i urdhrit “Lexo!”. Përveç kësaj, krijimi, mësimi dhe dija lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën dhe formimin e tij.
Kjo renditje na zbulon një filozofi të jashtëzakonshme të ndërtimit të personalitetit:
Së pari: ﴿اقْرَأْ﴾ – Lexo! Njeriu është qenie që duhet të mësojë, të mendojë, të hulumtojë dhe të mos mbetet rob i paditurisë. Urdhri i parë e zgjon mendjen dhe e thërret drejt dijes.
Së dyti: ﴿بِاسْمِ رَبِّكَ﴾ – Me emrin e Zotit tënd! Dija nuk duhet të shkëputet nga përgjegjësia përpara Krijuesit. Njeriu nuk duhet të bëhet vetëm i ditur, por edhe i vetëdijshëm se kujt i përgjigjet për dijen që zotëron.
Së treti: ﴿خَلَقَ الْإِنْسَانَ مِنْ عَلَقٍ﴾ – E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku e ngjitur. Këtu Kurani ia kujton njeriut origjinën e tij, që dija të mos e bëjë mendjemadh. Sado i fuqishëm, i pasur apo i ditur të bëhet, ai nuk duhet të harrojë prej nga ka ardhur.
Së katërti: ﴿الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ﴾ – I Cili mësoi me anë të penës. Pena simbolizon ruajtjen, përcjelljen dhe zhvillimin e dijes. Njeriu nuk është thirrur vetëm të marrë njohuri, por edhe t’i ruajë e t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.
Së pesti: ﴿عَلَّمَ الْإِنْسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ﴾ – Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Këtu njeriu mëson se dituria e tij nuk është absolute. Sa më shumë mëson, aq më shumë duhet të kuptojë kufijtë e vet dhe nevojën për udhëzim.
Prandaj, këto pesë ajete nuk janë vetëm hyrja e shpalljes, por mund të lexohen edhe si harta e parë kuranore e formimit të njeriut: zgjoje mendjen, njihe Krijuesin, mos e harro origjinën, ndërto dije dhe ruaje përulësinë. Në këtë kuptim, shpallja filloi me edukimin e njeriut, sepse përmes edukimit të tij do të ndryshonte edhe shoqëria. (Shih: Et-Taberi, Xhami el-Bejan; Ibn Kethir, Tefsir el-Kur’an el-Adhim, komentimi i El-Alak, 1–5.)
Kibla e namazit dhe kibla e jetës
Çdo njeri ka nevojë për një drejtim. Anija në det ka nevojë për busull, udhëtari për hartë, ndërsa njeriu për një qëllim që i jep kuptim ekzistencës së tij. Pa orientim, njeriu mund të ecë shumë, të arrijë shumë, të fitojë shumë, por në fund të zbulojë se ka ecur në drejtimin e gabuar.
Islami nuk i ka dhënë njeriut vetëm një kible për namazin, por edhe një orientim për jetën. Kiblen e namazit e gjejmë lehtë, por kiblen e jetës shpesh e humbim. Në namaz e drejtojmë trupin nga Qabeja, ndërsa në jetë duhet t’i drejtojmë mendimet, vendimet, dëshirat dhe veprimet drejt kënaqësisë së Allahut.
Sa njerëz e dinë saktësisht se ku ndodhet kibla e namazit, por nuk e dinë se nga po shkon jeta e tyre! E dinë nga të kthehen kur falen, por nuk dinë nga të kthehen kur përballen me padrejtësinë, kur sprovohen me pasuri apo kur tundohen nga mëkati.
Prandaj, në çdo rekat kërkojmë:
﴿اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ﴾
“Na udhëzo në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha, 6)
Nuk kërkojmë vetëm ta njohim rrugën, por të ecim në të, të qëndrojmë në të dhe të mos devijojmë prej saj. Kjo është domethënia e el-huda (الهدى), udhëzimit hyjnor, i cili nuk është vetëm informacion për të vërtetën, por edhe orientim për ta jetuar atë.
Allahu thotë:
﴿ذَٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِلْمُتَّقِينَ﴾
“Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim; udhëzim për të devotshmit.” (El-Bekare, 2)
Kështu, Kurani bëhet harta, besimi busulla, devotshmëria mbrojtja, ndërsa Siratal-Mustekim rruga që e çon njeriun drejt kënaqësisë së Allahut.
Ndodhia e Ibrahimit a.s. – kur orientimi është më i fortë se sprova
Kur Ibrahimi a.s. u përball me urdhrin hyjnor lidhur me flijimin e të birit, ai u gjend përballë njërës prej sprovave më të mëdha të dashurisë dhe bindjes. Nga njëra anë ishte dashuria e babait për djalin, ndërsa nga ana tjetër ishte nënshtrimi ndaj urdhrit të Allahut. Kur ia tregoi të birit ëndrrën, Ismaili a.s. iu përgjigj:
﴿يَا أَبَتِ افْعَلْ مَا تُؤْمَرُ سَتَجِدُنِي إِنْ شَاءَ اللَّهُ مِنَ الصَّابِرِينَ﴾
“O babai im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Në dashtë Allahu, do të më gjesh prej durimtarëve.” (Es-Saffat, 102)
Këtu shohim dy personalitete të ndërtuara mbi besimin: babain që i nënshtrohet Allahut dhe djalin që e pranon sprovën me durim. Allahu nuk lejoi të realizohej flijimi, por kjo ngjarje mbeti mësim për brezat.
Mësimi: Personaliteti i fortë nuk është ai që nuk sprovohet, por ai që nuk e humb orientimin kur sprovohet. Njeriu që e ka Allahun si qendrën e jetës së tij nuk e mat të vërtetën sipas lehtësisë së rrugës, por sipas drejtësisë së saj. Sepse më e rëndë sesa ta humbësh rrugën është të mendosh se je ende duke ecur në të.
2. NDËRTIMI INTELEKTUAL DHE PARIMOR ME DINJITET
﴿وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِي آدَمَ﴾
“Ne, me të vërtetë, i kemi nderuar bijtë e Ademit.” (El-Isra, 70)
Harta kuranore nuk synon vetëm ndërtimin e një njeriu që beson, por edhe të një njeriu që mendon, arsyeton, gjykon dhe mbron dinjitetin e tij. Besimi pa vetëdije mund të mbetet i dobët përballë dyshimeve, ndërsa dituria pa parime mund të shndërrohet në mjet manipulimi. Prandaj, Kurani e lidh ndërtimin intelektual me përgjegjësinë morale.
Njeriu mund të jetë shumë i ditur, por jo domosdoshmërisht i drejtë. Mund të ketë diploma, por të mos ketë karakter. Mund të njohë ligjet, por t’i shkelë ato kur i preken interesat. Mund të flasë për moralin, ndërsa në jetën private të sillet në kundërshtim me gjithçka që predikon.
Ndërtimi intelektual i mëson njeriut ta dallojë të vërtetën nga e pavërteta, ndërsa ndërtimi parimor i jep forcën të qëndrojë me të vërtetën edhe kur ajo i kushton.
Dinjiteti nuk është mendjemadhësi, as refuzim i këshillës, por vetëdije për vlerën dhe përgjegjësinë që Allahu i ka dhënë njeriut. Njeriu me dinjitet nuk e shet ndërgjegjen për pozitë, nuk e ndryshon të vërtetën për interes dhe nuk e përdor dijen për t’i poshtëruar të tjerët.
Allahu thotë:
﴿قَدْ أَفْلَحَ مَنْ زَكَّاهَا﴾
“Ka shpëtuar ai që e pastron shpirtin e vet.” (Esh-Shems, 9)
Kurani nuk mjaftohet me ndërtimin e mendjes, por kërkon edhe pastrimin e shpirtit. Sepse problemi më i madh i njeriut nuk është gjithmonë mungesa e njohurive, por mungesa e një ndërgjegjeje që e kontrollon atë.
Njeriu mund ta njohë të drejtën dhe përsëri të bëjë padrejtësi. Mund ta dijë se gënjeshtra është mëkat dhe përsëri të gënjejë. Mund të flasë për sinqeritetin, ndërsa në zemër të mbajë smirë, mendjemadhësi dhe urrejtje.
Prandaj, harta kuranore kërkon që njeriu ta edukojë botën e tij të brendshme. Ta pastrojë zemrën nga mendjemadhësia, ta çlirojë shpirtin nga smira dhe ta mësojë ndërgjegjen të jetë e drejtë edhe atëherë kur askush nuk e sheh.
Ndodhia e Jusufit a.s. – kur karakteri triumfon mbi tundimin
Jusufi a.s. ishte larg familjes, larg vendlindjes dhe në një ambient ku iu krijua mundësia për të rënë në mëkat. Gruaja e zotërisë së tij e ftoi drejt së ndaluarës, ndërsa dyert ishin të mbyllura. Në atë çast, kur mundësia e mëkatit ishte përpara tij, Jusufi nuk pyeti se kush po e shihte, por kujtoi Allahun.
﴿قَالَ مَعَاذَ اللَّهِ﴾
“Ai tha: Allahu më ruajt!” (Jusuf, 23)
Këto dy fjalë zbulojnë madhështinë e personalitetit të tij. Jusufi nuk kishte nevojë për një mbikëqyrës njerëzor që ta ndalonte. Ai kishte ndërtuar një ndërgjegje që e ruante edhe në vetmi.
Më vonë, kur vëllezërit që i kishin shkaktuar aq shumë vuajtje u gjendën përpara tij, ai kishte mundësi të hakmerrej. Por në vend të hakmarrjes zgjodhi faljen:
﴿لَا تَثْرِيبَ عَلَيْكُمُ الْيَوْمَ﴾
“Sot nuk ka qortim për ju.” (Jusuf, 92)
Vëreni madhështinë e këtij personaliteti! Kur ishte i dobët, nuk iu dorëzua mëkatit; kur u bë i fuqishëm, nuk iu dorëzua hakmarrjes. Në të dyja rastet, karakteri i tij mbeti i njëjtë.
Mësimi: Personaliteti kuranor nuk matet vetëm me atë që njeriu di, por me parimet që nuk i shet. Nuk matet vetëm me atë që bën përpara njerëzve, por edhe me atë që refuzon të bëjë kur është vetëm. Nuk matet vetëm me durimin në dobësi, por edhe me drejtësinë kur ka pushtet. Sepse njeriu pa parime ndryshon sipas interesit, ndërsa njeriu me parime qëndron edhe kur interesat e tij rrezikohen.
3. QË TË JESH I LUMTUR – LUMTURIA SI FRYT I PERSONALITETIT KURANOR
﴿قَدْ أَفْلَحَ مَنْ تَزَكَّىٰ﴾
“Ka shpëtuar ai që pastrohet.” (El-A’la, 14)
Përse njeriu kërkon dije? Përse kërkon pasuri? Përse dëshiron sukses, familje, pozitë dhe siguri? Në fund të të gjitha këtyre përpjekjeve qëndron dëshira për të qenë i lumtur. Por Kurani na mëson se lumturia nuk është gjithmonë aty ku njeriu e kërkon. Ka njerëz që kanë shumë pasuri, por pak qetësi; kanë shtëpi të mëdha, por zemra të ngushta; kanë shumë njerëz përreth, por ndihen të vetmuar.
Lumturia kuranore nuk është mungesa e sprovave, por prania e kuptimit, e besimit dhe e qetësisë edhe përmes tyre.
Allahu thotë:
﴿أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾
“Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.” (Er-Ra’d, 28)
Kjo qetësi nuk do të thotë se besimtari nuk qan, nuk humb dhe nuk përjeton dhimbje. Do të thotë se edhe në dhimbje ai nuk e humb kuptimin e jetës dhe shpresën te Allahu.
Por lumturia nuk ndërtohet vetëm duke kërkuar të mirën për veten. Ajo lidhet edhe me drejtësinë, bamirësinë dhe dobinë që njeriu u sjell të tjerëve.
﴿إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ﴾
“Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë dhe bamirësinë.” (En-Nahl, 90)
Kurani bashkon dy vlera madhështore: drejtësinë dhe bamirësinë. Drejtësia është t’ia japësh secilit të drejtën që i takon, ndërsa bamirësia është të ngrihesh mbi minimumin e detyrimit dhe të japësh edhe nga mirësia e zemrës.
Shoqëria nuk ndërtohet vetëm me njerëz që i njohin të drejtat e tyre, por edhe me njerëz që i respektojnë të drejtat e të tjerëve.
Ndodhia e Muhamedit ﷺ dhe Hilful-Fudulit – lumturia dhe dinjiteti në mbrojtje të tjetrit
Përpara shpalljes profetike, në Mekë ndodhi një padrejtësi ndaj një tregtari të ardhur nga jashtë. Atij iu mohua pagesa për mallin që kishte shitur. Duke mos pasur mbrojtje të fuqishme fisnore, ai kërkoi ndihmë kundër padrejtësisë.
Disa burra nga fiset mekase u bashkuan dhe lidhën një marrëveshje që njihet si Hilful-Fudul, me qëllim që të mbrohej i dëmtuari dhe të mos lejohej shtypja e të dobëtit nga i fuqishmi.
Në këtë marrëveshje mori pjesë edhe Muhamedi ﷺ, përpara se t’i vinte shpallja. Më vonë, ai e kujtoi me vlerësim këtë marrëveshje dhe shprehu gatishmërinë për t’iu përgjigjur një thirrjeje të ngjashme edhe në Islam.¹
Kjo ngjarje na mëson se personaliteti i lartë nuk pret gjithmonë që padrejtësia ta prekë personalisht për të reaguar. Ai e mbron të drejtën sepse është e drejtë, pavarësisht se kujt i është mohuar.
Njeriu që jeton vetëm për veten mund të grumbullojë shumë gjëra, por jo domosdoshmërisht të gjejë lumturinë. Ndërsa ai që jeton me besim, drejtësi dhe bamirësi ndërton një jetë me kuptim, edhe kur nuk i ka të gjitha të mirat materiale.
Mësimi: Besimi që nuk prodhon drejtësi mbetet i mangët në shfaqjen e tij shoqërore. Devotshmëria që nuk prodhon mëshirë nuk e ka dhënë ende frytin e saj të plotë. Ndërsa morali që shfaqet vetëm kur na shohin njerëzit është më shumë fasadë sesa karakter. Lumturia nuk është vetëm të marrësh atë që dëshiron, por edhe të bëhesh shkak që dikujt t’i largohet një padrejtësi, t’i lehtësohet një dhimbje apo t’i rikthehet shpresa.
KURANI NUK NDËRTON VETËM BESIMTARË, POR PERSONALITETE
Nëse e shikojmë me kujdes hartën kuranore, do të kuptojmë se ajo ka një renditje të jashtëzakonshme: fillimisht i jep njeriut orientim përmes besimit dhe udhëzimit, pastaj e ndërton intelektualisht dhe parimisht me dinjitet dhe në fund e udhëheq drejt lumturisë së vërtetë, duke e bërë burim drejtësie, mëshire dhe dobie për shoqërinë.
Ibrahimi a.s. na mëson se si të mos e humbim kiblen e jetës përballë sprovave. Jusufi a.s. na mëson se si ta ruajmë karakterin përballë tundimit dhe pushtetit. Ndërsa Muhamedi ﷺ na mëson se madhështia e njeriut nuk qëndron vetëm në adhurimin e tij, por edhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Kibla e namazit na tregon nga të drejtojmë trupin, ndërsa Siratal-Mustekim na tregon nga ta drejtojmë jetën. Dituria na mëson si të mendojmë, parimet na mësojnë si të qëndrojmë, ndërsa besimi dhe devotshmëria na mësojnë si të jetojmë të qetë e me dinjitet.
Tragjedia e njeriut nuk është gjithmonë se nuk e njeh rrugën e drejtë. Tragjedia më e madhe është kur e njeh atë, ua tregon të tjerëve, por vetë nuk ecën nëpër të.
Prandaj, pyetja që duhet t’ia shtrojmë vetes nuk është vetëm: Sa Kuran kemi lexuar? Por: Sa prej Kuranit është bërë pjesë e mendjes sonë, e zemrës sonë dhe e karakterit tonë?
Sepse qëllimi nuk është vetëm ta mbajmë Kuranin në duart tona, por ta bartim mesazhin e tij në jetën tonë.
Kurani është harta, besimi është themeli, devotshmëria është busulla, morali është rruga, ndërsa kënaqësia e Allahut është destinacioni.

Mr. Hasan Baftijari