Irani, separatistët e mbështetur nga Izraeli dhe mbetjet e regjimit të Asadit
Disa aktorë po përpiqen të minojnë legjitimitetin e presidentit sirian Ahmed Al-Sharaa. Edhe pse kanë interesa dhe objektiva të ndryshme, përpjekjet e tyre përkojnë në një pikë: dobësimin e shtetit të ri sirian, ende në proces konsolidimi.
Sipas analizës së publikuar nga Al Arabiya, grupi i parë përbëhet nga Irani dhe milicitë sektare që Al-Sharaa i dëboi nga Siria, duke ndërprerë edhe korridoret logjistike që ato përdornin për furnizimin e Hezbollahut.
Gjatë regjimit të Bashar Al-Asadit, Siria ishte praktikisht nën kontrollin e Gardës Revolucionare të Iranit, e cila e konsideronte vendin, së bashku me Irakun, një nga hallkat më të rëndësishme strategjike të projektit për dominimin e rajonit.
Humbja e Sirisë, përbën për Teheranin një goditje të rëndë. Prandaj, është e kuptueshme që Irani të përpiqet të destabilizojë dhe dobësojë shtetin sirian, me shpresën se një ditë do ta rikthejë nën ndikimin e tij.
Grupi i dytë përbëhet nga separatistët, mes të cilëve edhe Al-Hixhri në Suvejda. Ai ngjan Hassan Nasrallahut, i cili e kishte shpallur hapur besnikërinë ndaj Iranit.
Në këtë kuptim, Al-Hixhri është versioni izraelit i Nasrallahut. Ai dhe mbështetësit e tij e kuptojnë se objektivi përfundimtar është copëtimi territorial i Sirisë, pasi shkëputja e cilësdo krahinë do të shënonte fillimin e shpërbërjes së vendit.
Grupi i tretë, përfshin mbetjet e regjimit të Asadit dhe përfituesit e tij. Këta individë synojnë të përhapin kaos, thashetheme dhe të nxisin rebelime, me shpresën për të rikthyer parajsën e humbur.
Nën sundimin e tyre, Siria ishte një republikë frike, korrupsioni, burgjesh dhe atentatesh. Më pas, ajo u shndërrua praktikisht në një provincë iraniane, të drejtuar nga Kasem Sulejmani dhe Ismail Kaani.
Grupi i katërt përbëhet nga organizatat ekstremiste. Ato do të donin që Siria e re të shndërrohej në një bazë ekstremizmi, prej nga të organizoheshin sulme kundër vendeve fqinje, sipas modelit të Shtetit Islamik (ISIS).
Në vend të kësaj, Siria ka ndjekur një drejtim krejt tjetër. Ministria e Jashtme ka arritur të përmirësojë marrëdhëniet me një numër të madh vendesh arabe, përfshirë edhe ato që fillimisht e pritën me dyshim qeverinë e re.
Shteti sirian ndërmori gjithashtu një hap të vendosur dhe të matur duke larguar nga territori i tij selitë e lëvizjeve ekstremiste, për të mos lejuar që ato ta tërhiqnin vendin në konflikte dhe luftëra që nuk mund t’i përballonte.
Al Arabiya, vlerëson gjithashtu se shteti sirian meriton vlerësim për refuzimin e përdorimit të çështjes palestineze si instrument për të fituar legjitimitet politik apo për të ndezur emocionet e publikut.
Shfrytëzimi i kauzës palestineze është një taktikë e njohur dhe e dënueshme e regjimeve që kërkojnë të mbahen në pushtet, të eksportojnë problemet e brendshme, të pretendojnë udhëheqjen rajonale dhe t’u ofrojnë popujve slogane në vend të ushqimit.
Grupi i pestë përbëhet nga intelektualët që refuzojnë të shohin përtej të kaluarës së presidentit Al-Sharaa, pavarësisht se ai e ka pranuar hapur ndryshimin e bindjeve të tij ndër vite. Ndryshimi ideologjik është krejtësisht i natyrshëm, sidomos gjatë rinisë.
Përvojat e jetës dhe rritja e ndërgjegjësimit mund t’i ndryshojnë njerëzit. Për më tepër, zhvillimet konkrete në terren bien ndesh me dyshimet e ekzagjeruara ndaj tij.
Kush janë këta kritikë që vënë në pikëpyetje legjitimitetin e al-Sharaas, kur vende si Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite i kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë? Të dyja këto shtete kanë luftuar organizatat terroriste, nga Al-Kaeda te ISIS.
Grupi i gjashtë përbëhet nga disa sirianë. Synimet e tyre mund të jenë të mira, por padurimi, pakënaqësia dhe shprehjet publike të zhgënjimit krijojnë hapësirë për ata që kërkojnë të minojnë legjitimitetin e shtetit.
Siç thekson analiza e Al Arabiya, të gjithë shpresojnë që Siria e re të shndërrohet në një demokraci liberale të modelit të Tomas Xhefersonit. Por ndërtimi i një shteti nuk është aspak i lehtë.
Ai kërkon kohë dhe durim, në mënyrë që institucionet dhe themelet e tij të konsolidohen. Një nga gabimet më të mëdha është përpjekja për të kapërcyer fazat e domosdoshme të këtij procesi. Sirianët duhet të ecin sipas ritmit që dikton realiteti i vendit të tyre, pa u nxituar.
Al-Sharaa trashëgoi një vend të shkatërruar, të pushtuar dhe të përçarë, të rrënuar nga sundimi i Asadit, të pushtuar nga Irani, milicitë e tij dhe Rusia, të ndarë mes forcave rivale me ambicie separatiste dhe të rrethuar nga aktorë armiqësorë, mbetje të regjimit të vjetër dhe organizata ekstremiste.
Ndërtimi i një shteti funksional mbi këto rrënoja kërkon kohë, ndërsa përpjekjet për ta penguar atë nuk mungojnë. \tesheshi





