Hassan Sheikh Mohamud zgjidhet president i ri i Somalisë – VIDEO

Mohamud u betua disa minuta pas shpalljes së rezultateve

Ligjvënësit somalezë nga të dy dhomat e parlamentit, të cilët u mblodhën në një hangar tejet të fortifikuar brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Mogadishus, zgjodhën Hassan Sheikh Mohamud-in si president të dielën, duke mundur presidentin aktual Mohamed Abdullahi Mohamed, i njohur gjithashtu si Farmajo, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mohamud, i cili është paraardhësi i menjëhershëm i Mohamed-it si president, fitoi 214 nga 327 vota.

Presidenti aktual mori 110 vota, ndërsa tre vota ishin të skualifikuara, sipas kryetarit të parlamentit somalez, Sheikh Adan Mohamed Nuur Madobe, i cili shpalli rezultatet e zgjedhjeve.

Zgjedhjet kanë qenë të shoqëruara me tensione dhe përfshinë tre raunde, ku garuan gjithsej 36 kandidatë.

Mohamed pranoi humbjen, duke thënë: “Falënderoj të gjithë anëtarët e parlamentit që votuan për mua dhe ata që nuk votuan për mua”.

Mohamud u betua disa minuta pas shpalljes së rezultateve dhe falënderoi paraardhësin e tij për transferimin e pushtetit tek ai në mënyrë paqësore. /aa