Haxhilerët përshëndeten me Qaben

Qindra mijëra muslimanë, të cilët përfunduan misionin e tyre të Haxhit në vendet e shenjta, po i japin lamtumirën Qabes, raporton Anadolu.

Muslimanët që erdhën në vendet e shenjta nga e gjithë bota për të kryer Haxhin po përjetojnë lumturinë e përmbushjes së këtij kushti të fesë islame.

Një pjesë e haxhilerëve fillimisht kishin vizituar Medinen, kurse një pjesë kishte ardhur drejtpërdrejt në Mekë. Haxhilerët që udhëtimin në tokat e shenjta e nisën në Meke, do të vizitojnë Medinen si stacion i dytë.

Ulvi Ata, zyrtar i lartë i Diyanetit turk, tha për Anadolu se haxhilerët i përmbushën obligimet e Haxhit dhe se shumë prej tyre tashmë kanë përfunduar “tavafin” e lamtumirës.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar lumturinë e të qenit këtu, të arrish në Qabe dhe të jesh në gjendje të sillesh rreth saj. Erdhi koha të ndahemi pasi përjetuam këtë bukuri”, tha Ata.