Haxhinjtë hedhin guralecët si ritual i fundit i Haxhit

Hedhja e shtatë gurëve në murin që përfaqëson djallin

Të mërkuren Haxhinjtë kanë gjuajtur gurët në një përfaqësim simbolik të shejtanit si ritual i fundit i Haxhit në Vendet e Shenjta Islame.

Hedhja e shtatë gurëve në një mur që përfaqëson djallin, është rituali i fundit i Haxhit i cili duhet t’ua rikujtojë muslimanëve përpjekjet e vazhdueshme të shejtanit për t’i devijuar nga rruga.

Sipas traditës islame, profeti Ibrahim ishte i pari që e bëri ritualin pasi shejtani u përpoq ta nxiste atë që të mos i bindej Allahut.

Vetëm 60,000 qytetarë dhe banorë të vaksinuar plotësisht të mbretërisë u lejuan të marrin pjesë në haxhin e sivjetmë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Të hënën, haxhinjtë u ngjitën në malin Arafat të qytetit të shenjtë të Mekës.

Pikërisht në malin Arafat, Profeti Muhamed e mbajti hutben e Tij të lamtumirës.

Haxhinjtë kaluan tërë ditën në Arafat përderisa vazhdimisht luteshin dhe kërkonin falje dhe mëshirë nga Zoti.

Pas perëndimit të diellit, ata zbritën nga mali dhe u kthyen në Muzdelife, që gjendet në mes të rrugës nga Arafati për në Mina.

Më pas, në Mina, ata ishin pjesë e ritualit simbolik “gjuajtja e shejtanit me gurë”.

Rituali është një rikrijim i gjuajtjes me gurë drejt djallit nga ana e Profetit Ibrahim në tre lokacionet ku thuhet se djalli është munduar që t’ia ndryshojë mendjen Ibrahimit që të mos i bindet urdhërit të Zotit që të sakrifikojë djalin e tij, Ismailin.

Pas ritualit të gjuajtjes me gurë, haxhinjtë prenë kurbanë për të shënuar fillimin e festës katërditëshe të Kurban Bajramit.

Haxhi është “shtylla e pestë” e fesë islame, një ritual i cili duhet të bëhet të paktën një herë në jetë nga të gjithë muslimanët nëse kanë mundësi financiare.