Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të vendit.
Haxhiu tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk duhet të përballet me vonesa të mëtejshme.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave”, theksoi ajo.
Sipas saj, Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por një proces të drejtë.
“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, u shpreh Haxhiu.
Ajo paraqiti edhe progresin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, duke nënvizuar se orientimi euroatlantik i vendit mbetet i palëkundur.
“Orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare”, tha ushtruesja e detyrës së Presidentes.
Në takim u diskutua edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë.
“Procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët”, theksoi Haxhiu.








