Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) ka hapur një hetim të ri ndaj sistemit “Full-Self Driving” (FSD) të Teslas, që përfshin rreth 2.88 milionë automjete.
Hetimi synon të vlerësojë se sa shpesh dhe sa rëndë FSD shkel rregullat e qarkullimit dhe nëse këto gabime përbëjnë rrezik për sigurinë rrugore, pas më shumë se 50 raportimeve për shkelje dhe disa aksidente, disa prej tyre me të lënduar.
Megjithëse sistemi promovohet si vetëdrejtues, FSD mbetet një teknologji gjysmë-autonome (Niveli 2), që kërkon një drejtues plotësisht të vëmendshëm.
Autoritetet theksuan se drejtuesi mbetet “përgjegjës në çdo moment për drejtimin dhe respektimin e ligjeve të trafikut”.
Sipas zyrës së hetimeve (ODI), rastet problematike përfshijnë dy situata kryesore: kalimin e sinjaleve të kuqe dhe hyrjen në korsi të kundërt.
Deri tani janë raportuar 18 ankesa dhe një raport mediatik që pretendojnë se automjetet me FSD nuk ndalen plotësisht në semaforë të kuq ose i lexojnë gabimisht sinjalet.
Në gjashtë raste, automjetet që kishin aktivizuar FSD kanë kaluar me semafor të kuq dhe janë përfshirë në aksidente në kryqëzime – katër prej tyre me persona të lënduar.
Një nga zonat me incidente të përsëritura ndodhet në Joppa, Maryland, ku autoritetet po bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe Autoritetin e Transportit të Maryland-it.
Sidoqoftë, besohet se Tesla ka ndërmarrë disa masa për ta zgjidhur problemin në atë vend specifik.








