“Hfz. Mehas Alija – reagim ndaj shkrimit të gazetarit Enver Robelli”

Hfz. Mehas Alija

Është e padrejtë që disa raste tragjike të dhunës të përdoren për të njollosur një komunitet të tërë. Shqiptarët muslimanë në diasporë nuk janë rrezik për shoqërinë, përkundrazi, janë punëtorë, kontribues dhe edukues të brezave të rinj me dashuri për paqen, bashkëjetesën dhe ligjin.
Xhamitë nuk janë vatër radikalizimi, siç përpiqen t’i paraqesin disa, por hapësira ku të rinjtë gjejnë orientim, edukim dhe mbrojtje nga manipulimi ekstremist. Kush i sheh si problem, në fakt po i bën shërbim ekstremizmit, anti-shqiptarizmit dhe islamofobisë, sepse ua heq një nga pengesat kryesore që këto viruse të mos depërtojë në shoqëri.
Feja islame nuk e shkombëtarizon shqiptarin. Përkundrazi, historia jonë, por edhe e sotmja, e dëshmon se besimi dhe atdhedashuria kanë ecë krah për krah. Të na paraqesësh si të “humbur për kombin” vetëm pse ndërtojmë xhami, pse dhurojmë 5 milionë franga, është ofendim ndaj mijëra familjeve që japin kontribut të madh edhe për kulturën, për arsimin, por edhe për vendlindjen. Sa për dijeninë tuaj, komuniteti musliman shqiptar në Zvicër, ka ndihmuar me miliona franga për çështje humanitare, edukative dhe kulturore, në vendlindje dhe në mërgatë për shqiptarët.
Në vend të frikësimit e paragjykimeve, zgjidhja është bashkëpunimi i sinqertë mes shtetit, shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare. Sepse nuk jemi “zëra të vetmuar në shkretëtirë”, por një komunitet i gjallë që çdo ditë punon për integrim, iluminizëm, harmoni dhe paqe.
Gazetar Robelli, në realitet, shembujt pozitivë janë shumë më të shumtë sesa incidentet e rënda, dhe duhet të jenë pjesë e analizës suaj të balancuar.

Hfz. Mehas Alija
13.09.2025, e shtunë
St.Gallen