Hovenier: Drafti-statuti i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Këtë deklarim ai e ka bërë të enjten në një adresim para mediave, ku ka folur lidhur me draftin e Asociacionit, të prezantuar ditë më parë nga Bashkimi Evropian, ku prezentë ishin edhe SHBA-të.

“Draft-statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian me prezencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është konsideruar që është në respektim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft-statut që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar ambasadori amerikan.