Hulumtim: Shumica e finlandezëve mbështesin anëtarësimin në NATO edhe pa Suedinë

Shumica e njerëzve në Finlandë janë në favor të ecjes përpara me anëtarësimin e vendit në NATO pa Suedinë, transmeton Anadolu.

Sipas një raporti të medias lokale, rreth 53 për qind e të anketuarve në një sondazh nga kompania kërkimore Taloustutkimus ishin kundër idesë së pritjes për Suedinë, e cila mund të përballet me vonesa për shkak të faktorëve të tillë si kundërshtimi nga Turqia.

E përditshmja Ilta-Sanomat raportoi se rreth 28 për qind donin që Finlanda të ecë përpara vetëm me fqinjin e saj.

Sipas raportimit, gjithsej 82 për qind e të anketuarve mbështesin vendimin e Finlandës për t’u bërë pjesë e NATO-s, ndërsa vetëm 8 për qind e kundërshtojnë këtë vendim.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në muajin maj të vitit të kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Për të anëtarësuar në NATO nevojitet miratimi unanim nga të gjithë anëtarët e NATO-s, përfshirë Turqinë, një anëtare e aleancës prej më shumë se 70 vjetësh.

Sipas një memorandumi të nënshkruar qershorin e kaluar midis Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, të dy vendet nordike u zotuan të ndërmarrin hapa kundër terroristëve për të fituar anëtarësimin në aleancën e NATO-s.

Sipas marrëveshjes, Suedia dhe Finlanda mes tjerash ranë dakord të mos ofrojnë mbështetje për grupet terroriste si PKK dhe degët e saj, Organizatën Terroriste FETO, si dhe të ekstradojnë të dyshuarit për terrorizëm në Turqi.

Turqia thotë se vendet, veçanërisht Suedia, duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur premtimet e tyre, veçanërisht në vazhdën e demonstratave të fundit nga mbështetësit e grupit terrorist PKK dhe djegies në Stokholm të Librit të Shenjtë të Islamit, Kuranit.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar përjashtoi mundësinë e dhënies së dritës jeshile për anëtarësimin e Suedisë për sa kohë që lejon sulmet ndaj Kuranit.

“Pikëpamja jonë për Finlandën është pozitive, por jo për Suedinë”, tha ai, duke sinjalizuar një gatishmëri për të mbështetur synimin e Finlandës për anëtarësim në NATO veçmas nga ajo e Suedisë.