Hyn në fuqi masa e qortimit ndaj serbëve që nuk i konvertuan targat

Tashmë edhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi ndryshimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për serbët të cilët nuk kanë konvertuar targat e automjeteve nga ato ilegale në targa RKS.
Pas orës 00:00, të gjithë serbët të cilët hasen nga Policia e Kosovës duke drejtuar automjetet me targa të ngjashme si “KM, GL, PZ” e të tjera do të marrin fletëqortimin e autoriteteve të Kosovës.

Edhe pse Qeveria e Kosovës kishte bërë vazhdimisht thirrje që këto targa të konvertohen, një gjë e tillë nuk ishte marrë fare në konsideratë nga serbët.

Madje numri i atyre që i konvertuan këto targa është tejet i ulët, saktësisht 23 targa.

Si fillim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte vendosur datën 31 tetor si datën e fundit të mundësisë të ndërrimit të këtyre targave.

Por situata ndryshoi pas kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të ndryshohet kjo masë.

Të njëjtët kanë kërkuar që ky afat të hiqet, ndërsa Qeveria e Kosovës mori vendim që pas datës 31 tetor të nis qortimi ndaj serbëve të cilët nuk ndërrojnë këto tabela, pas kësaj nga data 21 nëntor deri më 21 janar, të gjithë pronarët e automjeteve të cilat kanë targa serbe në Kosovë, do të gjobiten me nga 150 euro.

Në kuadër të planit të ri të qeverisë, nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për serbët kurse nga data 21 nëntor deri më 21 janar, do të ketë gjoba.

Përpos kësaj, pas këtij afati parashihet që serbët të kenë mundësinë e vendosjes së targave provuese, e pas 21 prillit në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa të lartcekura.

Në kuadër të kësaj ditë më parë pati reagime nga SHBA-të dhe BE-ja. Por një reagim të ngjashëm mbrëmë u tha edhe në një konferencë për media nga zëdhënësi i Departamenti të Shtetit, Ned Price.

Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë për çështjen e zgjatjes së afatit për implementimin e vendimit për targat.

“E kemi bërë të qartë që Kosova duhet ta shtyjë periudhën e implementimit. Jemi të dëshpëruar dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve më të ngushtë ndërkombëtar për implementimin”,deklaroi ai.

“Ne kemi qenë të qartë edhe publikisht edhe privatisht që SHBA bashkë me aleatët tjerë kërkojnë shtyrje të plotë të implementimit. Ne s’kërkojmë implementim të pjesshëm apo implementim në faza. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të implementimit”, ka thënë Price duke shtuar se diskutimet po vazhdojnë ende.

Kurse sot ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka ftuar edhe njëherë serbët të cilët posedojnë targa ilegale që t’i regjistrojnë me ato shtetërore RKS.

“Sot, Policia e Kosovës, në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, ka shkruar Sveçla në Facebook, menjëherë pasi në kalendar ka shënuar data 1 nëntor.

Ai ka ftuar qytetarët që posedojnë targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS.

“Dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka shkruar tutje ministri i Punëve të Brendshme.

Sveçla ka inkurajuar qytetarët që të mos mbesin peng të grupeve kriminale, por të shfrytëzojnë lehtësirat për t’i regjistruar mjetet e tyre sipas lehtësirave të mundësuara nga institucionet.

“Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale, por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”.

Madje së fundi pati paralajmërime për përkeqësim të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, si shkak i këtyre vendimeve.

Gjatë orëve të natës së kaluar tek Ura e Ibrit ishin vendosur forca të shumta policore, ndërsa të njëjtit thuhet të jenë larguar sot dhe situata është e qetë.