Hyn në fuqi vendimi, taksë 100 % për të gjitha mallrat që prodhohen në Serbi e Bosnje

Sot hyn në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës me zgjerimin e produkteve ndaj të cilave do të aplikohet taksa 100 për qind.

Qeveria mori këtë vendim më 28 dhjetor, ndërsa patën njoftuar se ky vendim hyn në fuqi më 1 janar. Në këtë listë janë shtuar edhe produktet me origjinë ndërkombëtare të cilat vijnë në Kosovë e prodhohen në Serbi e Bosnje e Hercegovinë.

Në mbledhjen e Qeverisë të datës 28 dhjetor, u tha se është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit nr. 01/76 të datës 21 nëntor 2018, nga i cili hiqet paragrafi 2 i vendimit bazë, me të cilin përjashtohen markat, brendet e njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria ka shprehur respekt të jashtëzakonshëm për sugjerimet e aleatëve që të mos vazhdohet me veprime të tjera, por është e papranueshme letra e kryeministres së Serbisë dërguar kryeministrave të vendeve që e kanë njohur pavarësinë që të tërheqin njohjen.

Po ashtu, është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së, në këtë rast e zonjës Mogherni dhe komisionerëve të tjerë, në ketë letër.

“Kjo është një vepër agresioni, por edhe përkundër kësaj ne nuk do të vazhdojmë me masa tjera shtesë ndaj produkteve serbe, por do ta respektojmë masën 100 për qind, ndërsa heqja e listës së brendeve është e karakterit tjetër”, tha Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

Sipas Ministrit të Tregtisë, Endrit Shala, mallrat nuk do të mund të hyjnë pa iu nënshtruar taksës 100 për qind, pavarësisht vendit të origjinës.

Kjo është lista e brendeve ndërkombëtare ndaj të cilave do të aplikohet taksa prej 100 për qind.

Coca Cola, Ytong-blloka, Rouch-Bravo, Henkel-Persil, Dukat, Tuborg, Gorenje, Meggle, Jaffa, pije jo alkoolike./koha.net