I infektuari kishte kontakt të drejtpërdrejtë me banorët​, Topanica e Kamenicës futet në karantinë

Ka shkuar në 106 numri i të infektuarve në Kosovë nga koronavirusi.

Gjatë ditës së djeshme, Instituti Publik i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot nga 69 mostrat e marra për testim 12 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Në mesin e 12 të infektuarve me koronavirus është edhe një person nga fshati Topanicë e Kamenicës, shkruan lajmi.net.

Kreu i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, e ka shpallur fshat si zonë karantinë.

Sipas Kastratit ky vendim i MPBAP-së, ka ardhur pasi që dyshohet se i infektuari ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me banorët tjerë.

Postimi i plotë i Kastratit, pa ndërhyrje:

Topanica shpallet si zonë karantinë

Pas rastit të parë pozitiv me Covid-19 në komunën tonë, konkretisht në fshatin Topanicë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, e ka shpallur këtë fshat si zonë karantinë. Kjo pasi dyshohet se personi i dyshuar ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me banorët tjerë.

Për luftimin e kësaj pandemie nuk mjafton vetëm karantinimi i një zone të caktuar, por këtë duhet ta bëjmë të gjithë. Të rrimë në shtëpitë tona në secilën pjesë të komunës.

Nuk duhet të mendojmë që rreziku prej infektimit me këtë virus është i izoluar vetëm në Topanicë dhe ne të tjerët jemi të sigurtë. Nuk guxojmë të mendojmë që të infektuar janë vetëm rastet e konfirmuara.

Rri n’shpi për veten dhe familjen!

#RriNshpi.