
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, ka paralajmëruar se ekonomia globale po përballet me një kërcënim serioz për shkak të krizës aktuale energjetike.
Duke folur në Klubin Kombëtar të Shtypit në Canberra, Birol e krahasoi situatën aktuale me krizat energjetike të viteve 1970 dhe ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
“Kjo krizë, siç janë zhvillimet tani, është si dy kriza nafte dhe një krizë gazi të kombinuara,” tha ai, duke shtuar se “ekonomia globale po përballet me një kërcënim shumë, shumë të madh”.
Ai theksoi se asnjë vend nuk do të jetë imun ndaj pasojave nëse kriza vazhdon në këtë drejtim dhe bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta globale për ta zgjidhur situatën.
Sipas Birol, të paktën 40 objekte energjetike në rajon janë dëmtuar rëndë gjatë konfliktit, ndërsa IEA po konsultohet me qeveritë në Azi dhe Evropë për mundësinë e lirimit të mëtejshëm të rezervave strategjike të naftës.
Më herët gjatë këtij muaji, vendet anëtare të IEA-së ranë dakord të lirojnë një sasi rekord prej 400 milionë fuçish nafte nga rezervat strategjike, për të frenuar rritjen e çmimeve globale të naftës. /mesazhi






