IKSHPK: Të testuarit për COVID-19 të izolohen deri në lajmërim të rezultatit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës që testohen për COVID-19, që të izolohen deri në lajmërimin e rezultatit të testit.

IKSHPK-ja po ashtu ka thënë se ata që rezultojnë pozitiv në testim, e kanë të ndaluar që personalisht të shkojnë në IKSHPK për ta kërkuar rezultatin, deri në 10 ditë pas ditës së testimit.

“Të gjithë personat të cilët janë mostruar për testim në COVID 19 duhet të qëndrojnë në shtëpi/banesë deri në lajmërimin e rezultatit të testit nga IKSHPK. Personat të cilët lajmërohen që kanë rezultuar pozitiv në COVID 19 e kanë të ndaluar që personalisht të vijnë në IKSHPK për të kërkuar rezultatin deri në 10 ditë pas ditës së testimit. Individët e interesuar që të kenë rezultatin në formë të shkruar më herët, rezultatin e testimit mund ta kërkojnë përmes emailit në [email protected] ose të autorizojnë (me posedim të letërnjoftimit/pasaportës të personit testuar) ndonjë individ që nuk është i infektuar me COVID 19”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ditëve të fundit në Kosovë është shënuar rritje e rasteve ditore me COVID-19. Vetëm në 24 orët e fundit, janë shënuar 427 raste të reja e kanë vdekur 2 persona si pasojë e koronavirusit.