Incidentet që përcollën funeralin e Adem Demaçit (Video)

Pak pas orës 9 të mëngjesit të së shtunës, pranë bustit të Skënderbeut, nga pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës u vendos arkivoli i Adem Demaçit.

Kështu nisi ceremonia komemorative për varrosjen e veprimtarit Demaçi, e në nderim të tij, u mblodhën një numër jo i vogël i qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare, raporton KTV.

Ndërkohë erdhën edhe liderë të vendit, e nga rajoni në ceremoni morri pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas himnit shtetëror e atij kombëtar, u mbajt një minutë heshtjeje.

“Qëndresa e tij e bëri simbol të lirisë kombëtare”, tha presidenti Hashim Thaçi në fjalën e tij.

Fjalë rasti në ceremoni kanë mbajtur edhe kryeministri Haradinaj dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

E vajza e Demaçit, Abetarja, tregoi për disa prej fjalëve të babait të saj të ndjerë pas sëmundjes.

Rreth orës 12:00, në varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” të kryeqytetit, u soll arkivoli i Demaçit.

Mijëra qytetarëve të mbledhur, me një fjalë rasti, iu drejtua Selatin Novosella, bashkëveprimtar i Adem Demaçit.

Pasi liderët vendosën kurora lulesh në varrin e Demaçit, ngjashëm kanë bërë edhe qindra qytetarë që erdhën për të shprehur nderimin për veprën e tij.

Adem Demaçi, që shpesh i quajtur edhe “Masndela i Kosovës”, vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare.

Përcjellja për në “Varrezat e Dëshmorëve” kaloi me disa incidente

I mbuluar me flamur kombëtar, arkivoli i Adem Demaçit është përcjellë nga garda kombëtare nga sheshi Skënderbeu për në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania të Prishtinës.

Qytetarët e shumtë thanë se Kosova e ka humbur një njeri të madh dhe të gjithë duhet ta ndjekin rrugën e tij, raporton KTV.

I nxehti dhe lëvizja e ngadaltë e veturës, që po e bartte trupin e pajetë të Demaçit,bëri që ajo të prishet jo shumë larg varrezave.

Por Forca e Sigurisë së Kosovës u mobilizua shumë shpejtë dhe pjesëtarët e saj arkivolin e mbajtën në duar deri te varrezat.

Por gjatë ceremonisë së varrimit, ekipi i mjekëve i Urgjencës në Prishtinë ua dha ndihmën e parë 2 personave.

I kontaktuar nga KTV-ja, Bujar Gashi, drejtor i Urgjencës në Prishtinë, ka thënë se dy të alivanosurit nuk kanë pasur nevojë për trajtim të mëtutjeshëm por kanë marrë këshillat e duhura nga ekipi i mjekëve.

Sipas tij, i nxehti dhe qëndrimi në këmbë iu kanë shkaktuar telashe shëndetësore dy të pranishmëve.