Indonezi, aktivizohet vullkani Agung në ishullin Bali

Vullkani Agung në Ishullin Bali të Indonezisë përsëri filloi të lëshojë tym dhe hi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Zvogëlimit të Dëmeve të Fatkeqësive, Sutopo Purwo Nugroho tha se tymi dhe hiri i lëshuar si pasojë e një shpërthimi të dendësisë së mesme në vullkan ka arritur në lartësi prej 2.500 metra.

Nugroho njoftoi se po vazhdon gjendja alarmante e nivelit më të lartë prej 6 kilometrash dhe paralajmëroi banorët të qëndrojnë të paktën 6 kilometra larg vullkanit.

Ai thotë se nuk ka ndonjë gjendje e cila ndalon fluturimet nga aeroportet në rajon, por që disa fshatra janë prekur nga hiri vullkanik.

Në anën tjetër edhe Qendra e Zvogëlimit të Fatkeqësisë Vullkanologjike dhe Gjeologjike (PVMBG) njoftoi se shpërthimi ka ndodhur brenda një kohe të shkurtër dhe se aktivizimi vullkanik po vazhdon ende në nivelin më të lartë.

Që nga muaji shtator e deri më tani 50 mijë persona ishin evakuuar në rajone të sigurta për shkak të rrezikut nga një shpërthim i mundshëm i madh të vulkanit.

Vullkani Agung, i cili ndodhet në rajonin më turistik të shtetit, së fundmi ka shpërthyer në vitin 1963 ku humbën jetën mbi 1.100 persona.