Indonezi, të paktën 8 persona humbën jetën si pasojë e shpërthimit të vullkanit

Të paktën 8 persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit vullkanik që ndodhi në ishullin Flores të Indonezisë, transmeton Anadolu.

Sipas Agjencisë Indoneziane të Menaxhimit të Fatkeqësive, në malin Lewotobi Laki Laki në ishullin e largët indonezian Flores ka ndodhur një shpërthim vullkanik.

Disa shtëpi, përfshirë një manastir, u dogjën në një fshat pasi rrjedhat e llavës pas shpërthimit arritën atje.

Pasi një seri shpërthimesh kanë ndodhur në rajon që nga java e kaluar, autoritetet kanë ngritur gjendjen e alarmit për malin Lewotobi Laki Laki në nivelin më të lartë.

Vullkani ka hedhur hi të dendur deri në dy mijë metra në ajër çdo ditë që nga java e kaluar.

Në Indonezi, e cila ndodhet në brezin e tërmeteve dhe vullkaneve të emërtuar si “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, janë aktivë rreth 130 vullkane.