Të dashur fëmijë!
A e dini se Allahu i Madhëruar ka përmendur në Kuran edhe insekte shumë të vogla, për të na mësuar se:
Çdo krijesë ka vlerë
Edhe nga gjërat e vogla ne kemi se çfarë të mësojmë, madje shumë
Fuqia e Allahut shihet në çdo krijesë
Le t’i njohim bashkë këto insekte!
Milingona
Në Kuranin Famëlartë një sure titullohet me këtë emër. Në këtë sure tregohet se një milingonë i foli dhe paralajmëroi milingonat e tjera që të ruheshin nga Pejgamberi Sulejman (a.s) dhe ushtria e tij që po kalonte në luginën ku ato jetonin. Kur Pejgamberi Sulejman (a.s) i dëgjoi fjalët e milingonës, buzëqeshi dhe iu lut Allahut që të jetë mirënjohës për mirësitë që Ai i ka dhënë.
Nga ky veprim i milingonës ne mësojmë se:
Duhet të mendojmë për të tjerët
Duhet të punojmë në grup
Duhet të jemi të zgjuar dhe të kujdesshëm
Bleta
Në Kuranin Famëlartë një sure titullohet me këtë emër. Në këtë sure tregohet se Allahu e udhëzon bletën që të ndërtojë shtëpi në male, në drurë dhe në koshere me qëllim që ajo të prodhojë mjaltë, i cili është shumë i mirë dhe mjaft i dobishëm.
Nga mënyra se si bletët e prodhojnë mjaltin, ne mësojmë:
të punojmë me rregull
të jemi të dobishëm për të tjerët
puna e mirë sjell dobi
Merimanga
Në Kuranin Famëlartë një sure titullohet me këtë emër. Në këtë sure Allahu i Madhëruar merr si shembull shtëpinë e merimangës që është ndër shtëtipë më të dobëta, sepse pasi merimanga femër i sjell në jetë merimangat e vogla, ajo e vret merimangën mashkull dhe në shumë raste edhe fëmijët e saj.
Mësimi më i rëndësishëm që neve nxjerrim është se familja është gjëja më e rëndësishme në jetë dhe ajo duhet të ndërtohet mbi baza të shëndosha dhe detyrë e jona është që ta ruajmë fort atë që ajo mos të shembet kurrë.
Mushkonja
Në suren Bekare, Allahu i Madhëruar jep si shembull mushkonjën që është shumë e vogël dhe e parëndësishme në sytë e njerëzve. Por ajo megjithëse është shumë e vogël, krijimi i saj tregon dhe dëshmon se sa me saktësi dhe preçizitet e ka krijuar Allahu i Madhëruar atë.
Shembulli i mushkonjës nga mëson se:
asgjë në jetë nuk është e parëndësishme
Allahu i Madhëruar është i fuqishëm edhe në gjërat më të vogla
Miza
Në suren Haxh, Allahu i Madhëruar i fton njerëzit, të cilët adhurojnë idhujt, të mendojnë rreth krijimit të mizës. As idhujt dhe as njerëzit nuk kanë mundësi të krijojnë asgjë qoftë edhe një mizë të vogël. Ai që e ka krijuar mizën është vetëm Allahu i Madhëruar.
Nga krijimi i mizës ne mësojmë se:
Askush përveç Allahut nuk mund të krijojë as një mizë, as idhujt, as njerëzit.
Ai që e meriton të adhurohet është vetëm Allahu i Madhëruar dhe askush tjetër.
Karkaleci
Është përmendur dy herë në Kuranin Famëlartë
Një herë është përmendur në suren A’raf, kur Allahu i Madhëruar dërgoi tek Faraoni dhe populli i tij tufa të mëdha me karkaleca si ndëshkim për mosbindjen e tyre.
Dhe mësimi më i rëndëishëm që ne kuptojmë është se mosbindja ndaj urdhërave të Allahut ka pasoja të rënda.
Herën e dytë karkaleci është përmendur në suren Kamer, ku Allahu i Madhëruar tregon se kur njerëzit – veçanërisht mosbesimtarët – do të ringjallen e të dalin nga varret, do të dalin me sy të përulur, njëlloj sikur të jenë karkaleca të shpërndarë.
Morri
Morri – ashtu sikurse edhe karkaleci – është përmendur në suren A’raf. Ai është jë insekt shumë i vogël, por i bezdisshëm, Allahu e dërgoi tek Faraoni dhe populli i tij si ndëshkim për mosbindjen e tyre.
Edhe në këtë rast themi se mësimi më i rëndëishëm që ne kuptojmë është se mosbindja ndaj urdhërave të Allahut ka pasoja të rënda.
Flutura
Është përmendur në suren “Kariah” ku Allahu tregon se në Ditën e Kiametit, njerëzit do të jenë si flutura të shpërndara andej-këndej.
Në përfundim themi se: Allahu i Madhëruar është Ai i Cili ka krijuar gjithçka në këtë univers, madje edhe gjëra të vogla siç janë insektet, ç’ka dëshmon për fuqinë e Allahut dhe madhështinë e krijimit nga Ai.
Përgatiti: Elton Harxhi








