Ballina Lajmet Kosovë Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tetovë, me qëllim mbledhjen e materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit, aktivitetet kanë nisur në Bibliotekën e Tetovës, ku janë skanuar materiale me rëndësi të veçantë që lidhen me dëbimin e popullsisë shqiptare gjatë viteve 1998–1999.

Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e institutit kanë zhvilluar takime me personalitete dhe kontribuues të ndryshëm, të cilët kanë ofruar materiale dhe dëshmi të vlefshme për dokumentimin e ngjarjeve të asaj periudhe.

“Gjatë qëndrimit në Tetovë, prof. Izmet Jonuzi i dorëzoi institutit materiale të vlefshme arkivore. Po ashtu, u zhvillua një takim me dr. Alajdin Avziu, i cili gjatë luftës kontribuoi në ndihmën ndaj të dëbuarve në bashkëpunim me organizatën Mjekët pa Kufij. Në kuadër të vizitës, u qëndrua edhe në fshatin Bozovcë, ku u takuam me mësuesin Neshad Mehmeti, autor i monografisë “Dëbimi i shqiptarëve – nga Kosova në Malësinë e Tetovës dhe nga Malësia e Tetovës në Kosovë (1999–2001)”, të cilën ai ia dhuroi Institutit”, njofton Instituti.

Më tej, takimet kanë vijuar edhe me aktivistë dhe individë që kanë kontribuar gjatë luftës, duke përfshirë ndihmën për të dëbuarit dhe dokumentimin e ngjarjeve përmes materialeve fotografike dhe dëshmive të ndryshme.

“Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Blerim Emini nga Neproshteni, ndërsa gazetari Harun Ibrahimi u shpreh i gatshëm të mbështesë institutin me materiale dhe dëshmi të tjera”, vazhdon njoftimi.