Investimet e Kinës në Europë bien gjatё koronavirusit, shtrëngime për blerësit e huaj

Investimet e Kinës në Bashkimin Europian ranë me pothuajse dy të tretat vitin e kaluar si rezultat i pandemisë së koronavirusit dhe masave të Brukselit ndaj të huajve që blejnë asete strategjike europiane.

Një raport i ri nga BE tregon se përqindja e Pekinit në totalin e investimeve hyrëse të bllokut ra në 2.5% në vitin 2020 nga 4% në 2019.

Ndërsa ka patur një rënie të madhe në investimet e përgjithshme në Europë, kjo rënie ishte më e theksuar për investimet nga Kina dhe Rusia, dy vende që kanë marrëdhënie si në gjemba me BE-në, blerjet e të cilave ishte e pritshme të shqyrtoheshin nga mekanizmat screening të BE-së.

Vitin e kaluar, 20 shtete anëtare të BE-së, nëpërmjet mekanizmave të tyre të shqyrtimit të investimeve të huaja direkte (FDI) referuan 265 raste në Komisionin Europian për vlerësim. Prej tyre, 80 për qind e kaluan rishqyrtimin në një fazë të parë të shkurtër, ndërsa 14 për qind shkuan në një fazë të dytë të vlerësimit më të kujdesshëm.

Në fund, BE ofroi një opinion përfundimtar për vetëm tetë transaksione, duke bllokuar vetëm 2 përqind të të gjitha investimeve hyrëse.

Një zyrtar i lartë i BE-së, duke folur pa dashur të bëhej publik identiteti i tij, tha se numri i bllokimeve mund të jetë mbajtur kaq i ulët sepse mekanizmi i shqyrtimit veproi si një parandalues ndaj investimeve që në rrethana të tjera mund të kishin qenë nën vëzhgim të hollësishëm.

BE-ja nuk zbulon detaje të transaksioneve individuale, por tha se pesë burimet kryesore të marrëveshjeve që u referuan për shqyrtim ishin Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Kanadaja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një nga marrëveshjet e bllokuara ishte në sektorin e gjysmëpërçuesve, tha zyrtari, ndërsa 50 për qind e atyre që u futën në fazën e dytë të shqyrtimit ishin në sektorin e prodhimit.

Mekanizmi i shqyrtimit, i lançuar në mars 2019 si pasojë e shqetësimeve për investimet kineze në firmat e teknologjisë dhe vendet kyçe të infrastrukturës europiane, u përdor me kursim vitin e kaluar, tregoi raporti.

Para prezantimit të këtij mekanizmi, blerësit kinezë kishin blerë aksione në një mori portesh europiane, duke përfshirë portin e Pireut në Greqi, Zeebrugge në Belgjikë dhe Duisburg në Gjermani, duke nxitur zyrtarët të propozonin këtë legjislacion në vitin 2017.

Në shtator të këtij viti, konglomerati kinez Cosco bleu 35 për qind të aksioneve në Portin e Hamburgut, portin e tretë më të ngarkuar në Europë, ndërsa BE-ja është e prirur që të theksojë se rregullat nuk ishin krijuar për të bllokuar të gjitha investimet nga ndonjë vend i caktuar.

Në vitin 2020, Kina llogaritet se përbënte 2.45 miliardë euro (2.76 miliardë dollarë) nga 98 miliardë euro investime totale në BE, një rënie nga 13.4 miliardë euro nga 335 miliardë në 2019.

Sipas raportit, më shumë se tre të katërtat e investimeve kineze në BE që nga viti 2013 kanë qenë të lidhura me planin Made in China 2025, për të instaluar Kinën si lider global në teknologjitë e ardhshme.

Në fillim të këtij muaji, The Wall Street Journal raportoi se dy firma shtetërore kineze morën kontrollin e një prodhuesi italian të dronëve ushtarakë në vitin 2018, duke përdorur një firmë offshore, në mungesë të dijenisë së autoriteteve në Itali dhe Europë.

Rasti ka nxitur shqetësime në Bruksel se subjektet e mbështetura nga shteti mund të përdorin boshllëqet ligjore për korporatat që të shkelin rregullat e procesit screening.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë që investimet dhe eksportet e aseteve kritike të BE-së, përfshirë disa teknologji, mallra dhe infrastrukturë specifike, të monitorohen me kujdes për rreziqe ose keqpërdorime të mundshme”, tha Valdis Dombrovskis, komisioneri i BE-së për tregtinë.

“Synimet tona janë transparente: tregtia dhe investimet duhet të jenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe në mbështetje të të drejtave e njeriut dhe të sigurisë ndërkombëtare”, shtoi ai.

Raporti zbuloi se “më shumë se 90 për qind e këtyre rasteve” të referuara në BE ishin nga pesë vende anëtare: Austria, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja. /monitor