Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka paralajmëruar se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë po përhapet më shpejt sesa përpjekjet për reagim, si dhe ka bërë thirrje për mbështetje më të madhe ndërkombëtare për të frenuar virusin, transmeton Anadolu.
“Virusi po përhapet më shpejt sesa aftësia jonë për ta kontrolluar atë”, u tha gazetarëve në Gjenevë Frantz Celestin, drejtor rajonal i IOM-it për Afrikën Lindore, Bririn e Afrikës dhe Afrikën Jugore.
Deri më 14 korrik, në Kongo dhe Ugandë ishin raportuar më shumë se 2.000 raste me Ebola dhe 700 viktima, ndërsa Kongoja ishte vendi më i prekur.
“Shpërthimi po rritet me rreth 70 për qind krahasuar me atë që pamë dy javë më parë, me një mesatare prej më shumë se 40 rasteve të reja të raportuara çdo ditë dhe kjo tregon seriozitetin dhe përmasat e situatës me të cilën po përballemi sot”, tha ai.
Celestin tha se rreth 60 për qind e vdekjeve të raportuara kanë ndodhur në komunitete dhe jo në institucionet shëndetësore, duke theksuar sfidat e vazhdueshme në zbulimin e hershëm, mbikëqyrjen dhe qasjen në kohë në kujdesin shëndetësor.
Ai paralajmëroi se pasiguria, zhvendosjet dhe qasja e kufizuar humanitare po pengojnë përpjekjet e reagimit, duke bërë që përmasat reale të infeksioneve në disa komunitete të mbeten të panjohura.
Ai tha se gati 150.000 persona të zhvendosur brenda vendit jetojnë në 69 qendra të mbështetura nga IOM-i në lindje të Kongos dhe gjithashtu 300.000 persona të tjerë në komunitetet pritëse janë prekur.
Më tej, Celestin tha se zgjerimi i shpërthimit në dy provinca të reja pranë kryeqytetit Kinshasa ka nxjerrë në pah nevojën për forcimin e mbikëqyrjes në pikat kufitare dhe përgjatë lumit Kongo për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Ai tha se IOM ka kryer gati 7 milionë kontrolle shëndetësore dhe mbështet më shumë se 200 pika hyrjeje dhe kontrolli, por paralajmëroi se 63 për qind e apelit rajonal të agjencisë prej 55,8 milionë dollarësh ende nuk është financuar.
“Rreziku i përhapjes përtej kufijve është real”, tha Celestin, duke theksuar se Uganda tashmë ka raportuar raste dhe se infeksionet po shfaqen tani më pranë kufirit me Sudanin e Jugut.




