IPK-ja themelon ekipin për t’i vlerësuar veprimet policore në veri

Inspektorati Policor i Kosovës ka themeluar një ekip për hetimin e veprimeve policore gjatë operacionit të së premtes në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.

IPK-ja ka thënë se qëllimi i formimit të ekipit është që të sigurojë se Policia e Kosovës ka kryer detyrat konform standardeve dhe autorizimeve kushtetuese e ligjore.

“Po ashtu, Ekipi synon të identifikojë nëse gjatë këtij operacioni ka pasur tejkalim të autorizimeve policore. IPK siguron se varësisht nga gjetjet e punës së këtij Ekipi, konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit do të adresojë çështjet e ngritura. IPK do të mbajë të informuar opinionin publik me rezultatet e punës së këtij Ekipi”, thuhet nga IPK-ja.