Irak, zbulohen 12 trupa të djegur pas protestave

Autoritetet irakiane thanë se të shtunën 12 kufoma të djegura janë nxjerrë në Dewaniya, një ditë pas protestave masive kundër papunësisë dhe korrupsionit në provincën jugore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra shëndetësore në Dewaniya tha se kufomat u nxorrën nga zyra e guvernatorit dhe ambientet e djegura të partive politike në provincë, raportuan mediat lokale.

Mijëra demonstrues dolën në rrugë në kryeqytetin Bagdad dhe provincat jugore të premten kundër korrupsionit qeveritar, papunësisë dhe mungesës së shërbimeve themelore.

Të paktën 31 persona janë vrarë dhe më shumë se 2.300 të tjerë janë plagosur gjatë demonstratave, sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut.

Ministria e Brendshme irakiane sot tha se një numër i personelit të sigurisë u vra dhe plagos kur forcat e sigurisë u sulmuan me armë zjarri dhe gurë gjatë trazirave të së premtes.

Megjithatë, ministria nu dha numër të saktë të viktimave në radhët e forcave të sigurisë.

Gjatë muajit të kaluar, në Irak u mbajtën protesta masive kundër korrupsionit, si pasojë e të cilave qindra persona humbën jetën. Qeveritë e njëpasnjëshme të Irakut nuk kanë arritur t’i japin fund nepotizmit dhe korrupsionit, ndërkohë qeveria aktuale lufton për t’i dhënë fund keqmenaxhimit të fondeve publike.

Sipas shifrave të Bankës Botërore, Iraku ka një shkallë të lartë të papunësisë së të rinjve, përkatësisht rreth 25 për qind. Po ashtu Iraku renditet si vendi i 12-të më i korruptuar në botë nga disa organizata të transparencës