Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Iraku vret 12 vetë të dënuar për terrorizëm

Iraku vret 12 vetë të dënuar për terrorizëm

Iraku ka vrarë 12 vetë të dënuar për terrorizëm, pasi kryeministri Haider al-Abadi bëri thirrje për ekzekutime të shpejta në përgjigje të rrëmbimit dhe vrasjes së tetë anëtarëve të forcave të sigurisë.
Abadi kishte urdhëruar “ndëshkimin e menjëhershëm” të të gjithë atyre në formë të pushkatimit.
“Bazuar në urdhrat e kryeministrit Haider al-Abadi, ekzekutimet u kryen të enjten, duke vrarë 12 terroristë të dënuar”, tha një zëdhënës i qeverisë në një deklaratë.
Forcat e sigurisë të mërkurën gjetën trupat e tetë njerëzve të gjymtuar, dy ditë pas skadimit të një afati të caktuar nga rrëmbyesit e tyre, pjesë e grupit terrorist ISIS.
Militantët kishin rrëmbyer pjesëtarët e forcave të sigurimit të Irakut dhe treguan gjashtë prej tyre në një video të postuar në internet të shtunën, duke kërcënuar se do t’i vrisnin brenda tri ditëve nëse qeveria nuk do të liroje të burgosurat femra.
Një zëdhënës i ministrisë së brendshme tha se autopsitë treguan se burrat u vranë para skadimit të afatit dhe se videoja ishte propagandë.
Abadi shpalli fitore përfundimtare ndaj terroristëve në dhjetor, por grupi ende vepron  përgjatë kufirit me Sirinë dhe ka vazhduar të kryejë prita, vrasje dhe shpërthime bombash. /MESAZHI/