Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha sot se mundësia e një përshkallëzimi ushtarak kundër Iranit mbetet i ulët, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave për të destabilizuar vendin, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për mediat në Bejrut, Araghchi tha se Teherani e sheh rrezikun e përshkallëzimit si të pamundur, duke shtuar se çdo përballje ushtarake “nuk do të ndryshonte nga përvojat e mëparshme”.
“Qeveria iraniane ka filluar të angazhohet me segmente të ndryshme të shoqërisë për të adresuar sfidat e brendshme. Aktorët e jashtëm po kërkojnë të shfrytëzojnë protestat për të destabilizuar vendin”, tha ai.
Araghchi tha se me zyrtarët libanezë diskutoi mbi zhvillimet rajonale dhe kërcënimet izraelite, duke shtuar se politika e Iranit bazohet në mbështetjen e pavarësisë së plotë dhe integritetit territorial të Libanit.

