Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, tha se bisedimet me Arabinë Saudite në Bagdad “po vazhdojnë në mënyrën më të mirë” dhe se po përpiqen ta kthejnë këtë në një marrëdhënie të përhershme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Khatibzadeh në një konferencë për shtyp bëri deklarata në lidhje me negociatat Riad-Teheran. Lidhur me negociatat e vazhdueshme midis Teheranit dhe Riadit në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, Khatibzade tha se: “Bisedimet po vazhdojnë në mënyrën më të mirë. Disa raunde të bisedimeve u zhvilluan në Bagdad dhe shkëmbyem pikëpamje. Ne po përpiqemi të fillojmë një marrëdhënie të qëndrueshme që të dy palët të pajtohen me të”.
Khatibzade tha se marrëdhëniet politike dhe diplomatike po përparojnë në mënyrën e tyre dhe se ata janë të kujdesshëm për të bërë deklarata në përputhje me rrethanat. “Bisedimet po vazhdojnë në Bagdad dhe u diskutuan çështje të ndryshme. Fokusi ynë kryesor janë marrëdhëniet dypalëshe, por çështjet rajonale gjithashtu u diskutuan dhe do të diskutohen”, tha ai.
Khatibzadeh nuk i konfirmoi pretendimet se një delegacion nga Arabia Saudite erdhi në Iran për të hapur Ambasadën e Teheranit.
– “Teherani ka marrëdhënie të mira si me Azerbajxhanin, ashtu edhe me Armeninë”
Khatibzadeh deklaroi se vizita e ministrit të Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, në Teheran ishte planifikuar paraprakisht dhe u zhvillua në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe. “Teherani ka marrëdhënie të mira me Bakunë dhe Jerevanin dhe marrëdhëniet tona me një vend nuk janë kundër tjetrit. Ne kemi marrëdhënie me Bakunë në nivele të ndryshme dhe le ta lëmë dialogun të vazhdojë”, theksoi Khatibzadeh.
Khatibzade, i cili tha se që në fillim ata njoftuan autoritetet në Baku se ata zyrtarisht njohën integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe ndihmuan për ta mbrojtur atë, deklaroi se: “Trajtimi i shoferëve iranianë nuk ka qenë brenda kuadrit të fqinjësisë së mirë. Autoritetet në Baku duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje trajtimit të rojeve kufitare ndaj qytetarëve iranianë”.