Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani paralajmëron fqinjët: Do të konsiderohen “armiq” nëse territori i tyre përdoret...

Irani paralajmëron fqinjët: Do të konsiderohen “armiq” nëse territori i tyre përdoret për sulme

Irani ka paralajmëruar vendet fqinje se do të konsiderohen “armiq” nëse lejojnë që territori, hapësira ajrore apo ujërat e tyre të përdoren për sulme ushtarake kundër Teheranit.

Paralajmërimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara rajonale, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një tjetër flotë ushtarake amerikane po i drejtohet Iranit.

Zyrtarë iranianë kanë thënë se Irani i konsideron fqinjët si vende mike, por theksuan se çdo bashkëpunim i tyre në veprime ushtarake kundër Iranit do të shihet si akt armiqësor dhe do të marrë përgjigje përkatëse.

Sipas Teheranit, rritja e pranisë ushtarake amerikane në rajon po e përkeqëson situatën e sigurisë dhe po rrezikon stabilitetin në Lindjen e Mesme. Irani ka bërë thirrje për shmangien e përshkallëzimit dhe për zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjeve.

Deklaratat e fundit pasojnë qëndrime të ngjashme nga disa vende të rajonit, të cilat kanë theksuar se nuk do të lejojnë përdorimin e territorit të tyre për sulme kundër Iranit, në përpjekje për të mos u përfshirë në një konflikt më të gjerë. /mesazhi