Qeveria irlandeze ka njoftuar një ulje të përkohshme të taksave mbi karburantin për të ndihmuar familjet dhe bizneset të përballojnë rritjen e kostove të energjisë të lidhura me luftën në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Akciza për naftën do të ulet me 20 cent (0.23 dollarë) për litër, ndërsa për benzinën me 15 cent (0.17 dollarë) për litër, masë që do të zbatohet deri në fund të muajit maj.
Në një fjalim televiziv, kryeministri Micheal Martin i përshkroi masat si “ndërhyrje të synuara, të përkohshme dhe të përballueshme, që synojnë mbrojtjen e standardeve të jetesës dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik”.
Paketa, e cila gjithashtu përfshin zgjerimin e skemës së rimbursimit për naftën dhe zgjatjen e ndihmave për karburant për familjet në nevojë, pritet të kushtojë rreth 235 milionë euro (272 milionë dollarë).
Martin theksoi se qeveria nuk mund të mbrojë të gjithë nga rritja e çmimeve.
“Ka kufij se çfarë mund të bëjnë qeveritë në përgjigje të një krize të tillë dhe ne duam të sigurohemi që ajo që bëjmë është e qëndrueshme”, tha ai.
Ai pranoi pasigurinë mbi kohëzgjatjen e luftës dhe ndikimin e saj në tregjet e energjisë.
“Nuk do të jemi kurrë në një pozitë ku si qeveri do të mund të kompensojmë të gjithë për ndikimet e dëmshme të luftës në tregjet e energjisë, por ajo që mund të bëjmë është të përpiqemi të lehtësojmë presionin”, shtoi ai.
Duke folur për kontekstin gjeopolitik, Martin theksoi rreziqet më të gjera nga konflikti në rajonin e Gjirit.
“Ky konflikt dhe kjo luftë duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është mënyra më efektive për ta rikthyer ekonominë globale në një ekuilibër”, tha ai.
Kryeministri irlandez theksoi rëndësinë e kursimit të energjisë dhe investimeve strategjike, duke shtuar se kriza “tregon rëndësinë qendrore strategjike të investimeve në energji të rinovueshme dhe ruajtjen e energjisë, në rikonstruksionin e ndërtesave, në ndërlidhjen energjetike, në një rezervë strategjike LNG, si dhe në mbrojtjen e infrastrukturës sonë nënujore”.
Ai tha se të gjitha masat janë të përkohshme dhe në shqyrtim, si dhe shtoi se qeveria do të monitorojë nga afër zhvillimet në treg.


