Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irlanda: Izraeli shkel të drejtat e njeriut, kërkojmë pezullimin e marrëveshjes nga...

Irlanda: Izraeli shkel të drejtat e njeriut, kërkojmë pezullimin e marrëveshjes nga BE-ja

Helen McEntee

Ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee sot i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndërmarrë veprime kundër asaj që ajo e përshkroi si një “vend që po shkel shumë qartë të drejtat e njeriut”, duke kërkuar pezullimin e marrëveshjes BE-Izrael ose të paktën, të dispozitave të saj tregtare, transmeton Anadolu.

Përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, McEntee tha se Irlanda, së bashku me Spanjën dhe Slloveninë, i kishin shkruar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas duke kërkuar rishikim dhe pezullim të mundshëm të marrëveshjes me Izraelin në dritën e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

“Ne si BE duhet të mbështesim vlerat tona themelore”, tha McEntee duke theksuar se vendet me të cilat blloku ka marrëveshje duhet të përmbushin të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet për të drejtat e njeriut. Ajo iu referua projektligjit të fundit izraelit për dënimin me vdekje, i cili ajo tha se synonte në mënyrë disproporcionale palestinezët, duke e quajtur këtë veprim “krejtësisht të papranueshëm”.

“Mbi këtë bazë, Irlanda, Sllovenia dhe Spanja kishin kërkuar pezullim të marrëveshjes izraelite, nëse jo, atëherë pezullim të elementëve tregtarë të marrëveshjes”, theksoi McEntee. Ajo shtoi se kishte ndryshim në rritje midis udhëheqësve të BE-së, duke vënë në dukje pakënaqësi dhe bezdi të qartë me veprimet e fundit të Izraelit.

Ministrja irlandeze vuri në dukje atë që ajo e përshkroi si një situatë që po përkeqësohet në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përmendur miratimin e 34 vendbanimeve të reja në javët e fundit dhe një përshkallëzim të dhunës.

“Ne po dëshmojmë dhe përjetojmë përshkallëzim të paparë dhe të papranueshëm të dhunës në Bregun Perëndimor”, tha McEntee duke shtuar se anëtarët e BE-së duhet të përgjigjen kolektivisht për të patur ndikim domethënës.