Në artikullin e javës së kaluar, nuk ia shpreha lexuesve fisnikë mendimet, tek të cilat anojnë ndjenjat, ndërsa zemra frymëzohet me mundin e derdhur nga “Vëllezërit Muslimanë”. Nuk mund t`i fsheh lexuesve të nderuar, se kam përjetuar dhimbje, që nuk jam shprehur dhe ndërgjegja më ka vrarë, jo sepse ne dëshirojmë që të dukemi përpara njerëzve nëpëmjet punës tonë, apo që të tregojmë mundin tonë, sepse Allahu i Madhëruar e di, që “Vëllezërit Muslimanë” punojnë vetëm për hir të Tij dhe dëshirojnë që me anë të punës të fitojnë kënaqësinë e Tij. Ata nuk presin asnjë shpërblim apo falënderim nga askush. “Vëllezërit Muslimanë” kanë bindjen, se po kryejnë disa nga veprimet e detyrueshme që Islami i kërkon prej bijve të tij dhe pasi kryejnë një detyrim të tillë, kanë frikë se mos ndoshta nuk e kanë kryer siç duhet.
Ajo që duam ne, është që thirrjen tonë t`ua përcjellim njerëzve, t`iu sqarojmë atyre mendimin që kemi dhe t`iu zbulojmë atyre se kush jemi. Ka mundësi që të gjejmë nga ata persona, të cilët ndihmojnë për të mirën dhe udhëzojnë për bamirësi. Kështu dobia shumëfishohet, koha e realizimit shkurtohet, qëllimi bëhet më i prekshëm dhe realizohet ajo që shpresojmë: një reformim i plotë dhe shpëtim i shpejtë (i Umetit).
Çdo ditë që kalon dhe gjatë të cilës Umeti nuk punon për të dalë nga humnera ku ka rënë, e largon akoma më shumë rizgjimin. Nëse njerëzit do ta kuptonin siç duhet thirrjen e “Vëllezërve Muslimanë”, do ta vërtetonin se është e zbatueshme. Nëse njerëzit do ta pasonin metodologjinë e “Vëllezërve Muslimanë”, do ta shikonin të sukseshme. Nëse njerëzit do t`i ndihmonin “Vëllezërit Muslimanë” në punën e tyre, do ta vërenin se kjo punë është shpresëdhënëse, ndërsa fitorja dhe suksesi vjen vetëm nga Allahu, i Forti dhe i Urti.
Transmetohet në një hadith të vërtetë, se Muadhi (r.a) ka thënë: “Po ecja bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të), kur më tha: “O Muadh! Nëse do, mund të të tregoj për kryet (esencën) e kësaj çështjeje (fesë islame), shtyllën dhe çatinë (kulmin) e saj”. I thashë: “Posi jo, o i Dërguari i Allahut, që për ty u bëfsha kurban”! I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Kryet e kësaj feje është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili është i Vetëm e pa ortak dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut. Shtylla e kësaj feje është falja e namazit dhe dhënia e zekatit. Çatia e kësaj feje është Xhihadi në rrugë të Allahut. Unë jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa ata të falin namazin, të japin zekatin, të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetëm dhe pa ortak dhe të dëshmojnë se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut. Nëse i pranojnë këto, ata janë të mbrojtur. Jeta dhe pasuritë e tyre janë të mbrojtura dhe nuk preken, përveç rasteve kur e meritojnë ndëshkimin, ndërsa për atë që kanë në zemër, do të japin llogari para Allahut”([1]). Më pas i Dërguar i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është jeta e Muhamedit, se pas faljes së farzit, nuk ka si Xhihadi në rrugë të Allahut, pra kur gërvishtet një fytyrë dhe kur pluhurosen këmbët në një punë, me të cilën synohen shkallët e larta në Ahiret. Ajo që do të peshojë më shumë për besimtarin, do të jetë shpërblimi që merr për kafshën e tij, e cila mbytet në rrugë të Allahut, apo që e ka përdorur vetë atë në rrugë të Allahut”([2]).
Ky është përkufizimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) për Islamin, i cili e ka njohur Islamin më mirë se çdokush tjetër. Dije se “Vëllezërit Muslimanë” u kërkojnë njerëzve që të zbatojnë vetëm Islamin dhe parimet e Islamit, ata ndjekin vetëm rrugën islame në të gjitha detajet e saj.
Siç kam thënë edhe më lart në lidhje me namazin dhe zekatin, të kam treguar se çfarë synojnë “Vëllezërit Muslimanë” – nëpërmjet namazit dhe zekatit – për veten dhe për të tjerët. Dihet se namazi dhe zekati janë shtyllat e kësaj feje dhe themelet e saj.
Tani do të të flas për “Vëllezërit Muslimanë” si luftëtarë. Do të të flas, se çfarë duan nga vetja dhe nga njerëzit nëpërmjet Xhihadit në rrugë të Allahut, pozita e të cilit – në këtë fe – është si çatia për shtëpinë.
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është edhe ajo ndjenjë e gjallë dhe e fortë, e cila flladit me butësi krenarinë e Islamit dhe lavdinë e tij. Ajo është një ndjenjë që fluturon me përmallim për tek pushteti dhe forca e Islamit dhe vajton me pikëllim për gjendjen e dobët dhe nënçmuese ku kanë rënë muslimanët. Kjo ndjenjë digjet nga dhimbja, kur shikon këtë gjendje që nuk e do as Allahu i Madhëruar, as Muhamedi (Paqja qoftë mbi të), asnjë musliman dhe asnjë zemër besimtari:
Për shkak të kësaj gjendje
zemra nga dhimbja shkrin.
Kjo veç se në zemër
Islam dhe Iman (besim) mbin.
Në një hadith të vërtetë thuhet: “Kush nuk interesohet për gjendjen e muslimanëve, nuk është prej tyre”.([3])
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është edhe të kesh si shqetësim të përhershëm dhe preokupim të vazhdueshëm të menduarit seriozisht për rrugën e suksesit dhe gjetjen e rrugës së shpëtimit nga kjo gjendje, duke menduar thellë për një kohë të gjatë, sesi të zgjedhësh metodat e punës dhe mekanizmat më efikase, pasi ti ndoshta ia gjen Umetit rrugën e shpëtimit, mund të rastisë që të gjesh shpëtuesin, apo shpëtuesi mund të jesh ti vetë. Dije se nijeti i njeriut ka më shumë vlerë sesa puna e tij. Allahu i Madhëruar i di shikimet që njerëzit bëjnë me bisht të syrit dhe di ato që fshehin zemrat e tyre.
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është, që një pjesë të kohës tënde, të pasurisë tënde dhe të rehatisë tënde t`ia kushtosh Islamit dhe bijve të muslimanëve. Nëse je komandant, jepi kohën e duhur detyrës që të kërkohet nga ky post. Nëse je vartës, ndihmo ata që ftojnë në rrugë të Allahut. Në të dy grupet ka mirësi dhe Allahu i Madhëruar u ka premtuar të mirën të dy grupeve. Ai thotë: “Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij. Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t`i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t`i zemërojnë mohuesit apo t`i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve. (Gjithashtu) sa herë që ata të shpenzojnë diçka të vogël a të madhe apo të kapërcejnë çfarëdo lugine (në rrugë të Allahut), kjo do t’iu shënohet, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë!([4])
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është, që të urdhërosh për mirë dhe të ndalosh nga e keqja, të këshillosh për hir të Allahut, sipas modelit të Profetit (Paqja qoftë mbi të), duke u bazuar në librin e Tij, të këshillosh prijësit e muslimanëve dhe të gjithë muslimanët, të ftosh në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë. Sa herë që një popull e braktis këshillën, ai nënçmohet dhe sa herë që neglizhon urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja, ai përçmohet: “Ata izraelitë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Daudit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga veprat e këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata”!([5])
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është ta refuzosh atë që refuzon fenë e Tij, t`i japësh fund lidhjeve me ata që i shpallin armiqësi Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Shkëput çdo lidhje apo marrëdhënie me ta, madje as mos ha e as mos pi me ta. Në një hadith thuhet: “Rrënimi filloi tek çifutët, atëherë kur ndonjëri prej tyre e takonte dikë që bënte mëkat dhe i thoshte: “O ti njeri! Kije frikë Allahun dhe lëre këtë punë që e bën, pasi nuk lejohet”. Më pas, kur e takonte përsëri të nesërmen, e gjente duke bërë përsëri të njëjtin mëkat, mirëpo nuk e ndalonte më, përkundrazi mëkati nuk e pengonte që të hante, të pinte dhe të rrinte me të. Kur ata e bënë një gjë të tillë, Allahu futi urrejtje në zemrat e tyre ndaj njëri-tjetrit”.([6])
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është që të jesh ushtar për hir të Allahut, duke qenë i gatshëm për ta sakrifikuar veten dhe pasurinë vetëm për Të, madje edhe nëse të kërkohet sakrifikimi i çdo gjëje. Nëse kërcënohet lavdia e Islamit, shkelet krenaria e Islamit dhe bie alarmi për t`u mobilizuar, me qëllim që Islamit t`i kthehet krenaria, ti duhet të jesh i pari që i përgjigjesh kësaj thirrjeje dhe i pari që nisesh për Xhihad: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit”.([7])
Në një hadith thuhet: “Kush vdes pa bërë Xhihad dhe pa e pasur në zemër dëshirën për të bërë Xhihad, vdes duke pasur një pjesë hipokrizie”.([8]) Në këtë mënyrë realizohet ajo që dëshiron Allahu i Madhëruar: përhapja e Islamit në të gjithë botën.
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është puna për ngritjen e peshores së drejtësisë, për zgjidhjen e çështjeve të njerëzve, për përkrahjen e atij që i është bërë padrejtësi, për të goditur dorën e krimit – sado të gjerë ta ketë rrezen dhe pushtetin. Ebu Said Khuderiu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Xhihadi më i mirë është të thuash fjalën e vërtetë para një mbreti apo udhëheqësi gjakatar”.([9]) E shënon Ebu Daudi. Një hadith të ngjashëm e shënon gjithashtu edhe Buhariu. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Zotëria i dëshmorëve është Hamza ibn Abulmutalibi dhe një person, i cili shkon tek një udhëheqës gjakatar, e urdhëron (për të mirën) dhe e ndalon (nga e keqja), ndërsa gjakatari e vret atë”.([10]) Hadithin e shënon Ibn Maxheh me varg të vërtetë.
I dashur dhe i nderuar!
Pjesë e Xhihadit në rrugë të Allahut është që – edhe nëse nuk bën asgjë prej këtyre që përmendëm – të paktën t`i duash me gjithë zemër ata që luftojnë në rrugë të Allahut të Madhëruar, t`i këshillosh duke dhënë mendimin tënd të sinqertë, pasi në këtë mënyrë Allahu i Madhëruar do ta shkruajë sevapin dhe do t`i largojë pasojat (e mosmarrjes pjesë në xhihad). Bëhu pjesë e të paktën njërës prej këtyre grupeve që thamë. Përndryshe do të vuloset zemra (me hipokrizi) dhe do të ndëshkohesh shumë ashpër: “Nuk është gjynah të mos shkojnë në luftë të dobëtit, as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. (Nuk ka gjynah) As për ata të cilët, kur vijnë te ti për të kërkuar kafshë shalimi e ti u thua: “Unë nuk mund t`ju siguroj kafshë shalimi”, kthehen me sytë e tyre që u rrjedhin lot, ngaqë nuk mundën të gjenin gjë për të dhënë (në rrugë të Allahut)”.([11])
Duke u kthyer edhe një herë në fillim të temës, themi se këto janë disa nga gradat dhe shkallët e Xhihadit në Islam. Lind pyetja: “Ku janë “Vëllezërit Muslimanë” në lidhje me këto gradë”?! Përsa i përket faktit, se ata janë të pikëlluar dhe të lënduar për shkak të gjendjes së sotme të muslimanëve, Allahu i Madhëruar e di më mirë se çdonjërit prej tyre i digjet zemra, i përvëlohet thellësia e shpirtit dhe i tronditet mendja, gjë që e pengon atë në shumë raste të ndjehet i qetë me familjarët dhe vëllezërit e tij, apo të përjetojë kënaqësinë e çdo gjëje të këndshme dhe të bukur që ekziston.
Përsa i përket faktit, nëse “Vëllezërit Muslimanë” e mendojnë rrugën e shpëtimit, Allahu e di më mirë se çdo mendim i tyre, çdo plan që pushton ndjenjat e tyre, çdo çështje që i preokupon mendjen e tyre, – ashtu siç është edhe kjo çështje për të cilën po flasim – ka pushtuar kokat dhe zemrat e tyre, ka rrëmbyer ndjenjat dhe mendimet e tyre.
Përsa i përket faktit, nëse “Vëllezërit Muslimanë” shpenzojnë kohën dhe pasurinë e tyre për këtë rrugë, të mjafton të vizitosh qendrat e tyre dhe do të shikosh sy të stërmunduar nga pagjumësia, fytyra të lodhura nga mundi dhe trupa të rraskapitur nga përpjekja dhe stërmundimi. Ai që i shikon këto, kupton se “Vëllezërit Muslimanë” e konsiderojnë këtë lodhje si forcë të besimit dhe fuqi të parimeve që u besojnë. Shikon të rinj, që kalojnë më shumë se gjysmën e natës në zyra, me koka mbi tavolina, ndërkohë që bashkëmoshtarët e tyre janë zhytur në lojërat e kësaj jete, në shoqërinë e njëri-tjetrit, duke e kaluar natën me pagjumësi në kënaqësi të përkohshme.
Njerëzit sikur e kanë harruar proverbën: “Burimi që ecën ditë e natë, është pasuria më e madhe që ka pronari i tij, i cili fle gjumë”. Ne – “Vëllezërit Muslimanë” – e kërkojmë shpërblimin vetëm nga Allahu i Madhëruar dhe këtë nuk e konsiderojmë si favor që po u bëjmë të tjerëve: “Përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë”.([12])
Nëse pyet për pasurinë që “Vëllezërit Muslimanë” shpenzojnë në misionin e tyre, të them se ato janë vetëm nga pasuria e tyre e paktë, të cilën e japin me bujari, kënaqësi dhe qetësi shpirtërore. Ata sakrifikojnë pasurinë e tyre, duke e ngritur veten në nivelin e bujarisë, duke u mjaftuar me gjërat e domosdoshme për jetesë – larg luksit – dhe duke shpenzuar gjithçka në rrugën e thirrjes/misionit të tyre. Për këtë, ata falënderojnë vetëm Allahun e Madhëruar: “Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues”.([13])
Gëzimi ynë më i madh është që Allahu i Madhëruar ta pranojë këtë prej nesh, pasi tek e fundit çdo gjë vjen prej Tij dhe çdo gjë është për Të.
Përsa i përket faktit, se “Vëllezërit Muslimanë” urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja, ata e kanë praktikuar këtë me vetet e tyre, pastaj me familjarët e tyre, pastaj me të afërmit e tyre, pastaj me vëllezërit e tyre dhe më pas me shokët e tyre. Për kryerjen e kësaj detyre, “Vëllezërit Muslimanë” janë armatosur me durim, butësi, urtësi dhe dashamirësi gjatë këshillimit. A nuk e ke vënë re, se revista e tyre është një manifestim i urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja?! A nuk i shikon, se këshillat dhe fjalimet e tyre janë vetëm një nga mënyrat e këtij detyrimi hyjnor?!
Përsa i përket shkallëve të tjera të Xhihadit, ato janë detyrë për xhematin e muslimanëve dhe xhemati i “Vëllezërve Muslimanë” duhet të mbajë përgjegjësinë e tij për këto detyra. Nuk ka dyshim, se “Vëllezërit Muslimanë” janë pararojë në këtë dhe nuk rezervohen për të dhënë maksimumin e duhur. “Vëllezërit Muslimanë” e dinë pozitën që ka Xhihadi në Islam dhe e dinë se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush e takon Allahun dhe nuk ka luftuar në rrugë të Tij, do të ketë shenjë në fytyrë”.([14]) E shënon Tirmidhiu dhe Ebu Daudi. “Vëllezërit Muslimanë” i luten Allahut të Madhëruar që ta takojnë Atë pa pasur shenja në fytyra. Allahu i Madhëruar i thotë të Dërguarit të Tij: “Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde. Nxiti edhe besimtarët…”.([15]) Ne shpresojmë, se këto fjalë ua kemi komunikuar siç duhet njerëzve. Shpresojmë që ky zë të ketë arritur në shpirtin e tyre dhe të ketë gjetur terren pjellor, për ta shtuar sa më shumë numrin e aktivistëve dhe për të sistemuar sa më mirë rreshtat e luftëtarëve. “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t`i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët”.([16])
Autor: Hasan El Bena
Përktheu: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Deri këtu hadithi është i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ahmedi (5/425).
([2]) – Kjo pjesë e hadithit është e pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Ahmedi (5/245), Bezari në “El-Bahru`z-Zekhâr”, (2669). Hadithin e shënon gjithashtu Ahmedi (5/231), Nesaiu në “Sunenu`l-Kubrâ”, (11394), Tirmidhiu (2616) dhe Ibn Maxheh (3973).
([3]) – Hadith shumë i dobët, ndërsa domethënia e kësaj fjale është e vërtetë. Taberaniu në “Eusat”, (471) dhe Hakimi (7889). Hejthemiu në “Mexhmau`z-Zevâid”, (10/248) thotë: “E shënon Taberaniu. Në vargun e transmetuesëve është Jezid ibn Rrabia Rrabhi, i cili vlerësohet nga kritikët si i refuzuar në hadith”.
([4]) – Kurani: Teube, ajeti: 120-121.
([5]) – Kurani: Maide, ajeti: 78-79.
([6]) – Hadith me premisë për të qenë i pranuar, për shkak të dëshmive përforcuese. Ebu Daudi (4336), Tirmidhiu (3050), Ibn Maxheh (4006) dhe Ahmedi (1/391). Hadithin e shënojnë gjithashtu Ebu Ja`la (5033) dhe Taberaniu në “Kebîr” nga Ebu Musa (r.a). Hejthemiu në “Mexhmau`z-Zevâid”, (7/269) nr (12153) thotë: “E shënon Taberaniu në Kebîr dhe përcjellësit janë të vërtetë”. Taberaniu në “Kebîr”, (10264) dhe Bejhakiu në “Shuabu`l-Îmân”, (7138) shënojnë një hadith të ngjashëm me hadithin e Ibn Mesudit (r.a). Vargu ka shkëputje për shkak të Ebu Ubejdes, i cili nuk ka dëgjuar hadithe nga babai i tij. Mirëpo kjo duhet të shikohet me rezerva, pasi dijetarët kanë mospajtime për këtë gjë. Duhet ditur se Tirmidhiu e ka vlerësuar hadithin të pranuar, por të veçuar.
([7]) – Kurani: Teube, ajeti: 111.
([8]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (1910), Ebu Daudi (2502) dhe Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (3097).
([9]) – Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ebu Daudi (4344), Tirmidhiu (2174) dhe Ibn Maxheh (4011).
([10]) – Hadith i pranuar. Hakimi (4884), Taberaniu në “Eusat” (4079) dhe Ebu Nuajmi në “Musned Ebî Hanîfe”, (1/187). Imami ka bërë një lapsus, pasi ia ka cilësuar hadithin Ibn Maxhes.
([11]) – Kurani: Teube, ajeti: 91-93.
([12]) – Kurani: Huxhurat, ajeti: 17.
([13]) – Kurani: Hashr, ajeti: 9.
([14]) – Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Tirmidhiu (1666), Ibn Maxheh (2763) dhe Hakimi (2420).
([15]) – Kurani: Nisa, ajeti: 84.
([16]) – Kurani: Ankebut, ajeti: 6.








