Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ish-peshkopi australian dënohet me burg për abuzim seksual ndaj të rinjve

Ish-peshkopi australian dënohet me burg për abuzim seksual ndaj të rinjve

Christopher Saunders

Ish-peshkopi katolik australian Christopher Saunders është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg për abuzim seksual ndaj dy të rinjve aborigjenë gjatë kohës kur shërbente si klerik.

Saunders, 76 vjeç, u shpall fajtor në gusht për një akuzë përdhunimi dhe 12 akuza për sulm seksual. Ai mund të lirohet me kusht në shkurt të vitit 2031.

Sipas gjykatës, Saunders i kishte manipuluar dhe abuzuar sistematikisht dy të rinjtë nga viti 2010 deri në 2019. Ai i ftonte në takime ku konsumonin alkool dhe përdorte shpesh fondet dhe pronat e Kishës.

Në një rast, ai e detyroi njërin prej tyre të kryente seks oral. Saunders u shpall i pafajshëm për akuzat që lidhen me një të ri të tretë.

Gjykatësi Martin Flynn tha se ish-peshkopi kishte shpërfillur dinjitetin e viktimave dhe u kishte shkaktuar atyre dëme afatgjata.

Akuzat ndaj Saunders u bënë publike në vitin 2020, kur ai dha dorëheqjen si peshkop i Broome. Hetimi i parë policor u mbyll pa ngritur akuza, por pas një hetimi të urdhëruar nga Papa, policia nisi një hetim të ri.

Kisha Katolike në Australi është gjithashtu nën presion për t’i hequr Saundersit titullin dhe kompetencat e mbetura fetare. Vendimi për këtë çështje pritet të merret në Romë. /mesazhi