Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ish-shoku i fëmijërisë i nxjerr të palarat Netanjahut

Ish-shoku i fëmijërisë i nxjerr të palarat Netanjahut

Gabi Piker

Delirant dhe i korruptuar, do përfundojë i poshtëruar…

Për dekada të tëra, Gabi Piker ishte hija e Benjamin Netanjahut. Mik i ngushtë fëmijërie, këshilltar i besuar dhe njeriu që kryente detyrat e veçanta që duheshin mbajtur larg syve të bashkëshortes së kryeministrit, Sarës.

Por tani në moshën 76-vjeçare, ai ka vendosur të thyejë heshtjen përmes një interviste tronditëse për gazetën izraelitë “Haaretz”, i shtyrë nga ajo që ai e quan “ankth për të ardhmen e Izraelit”.

“Zemërimi, zhgënjimi dhe fyerja që ndiej po rriten çdo ditë që kalon”- thotë Piker. Sipas tij, figura që drejton Izraelin sot nuk është më njeriu që ai njihte 30 vite më parë. Piker përshkruan një transformim drastik të kryeministrit aktual: nga një politikan i arsimuar në Harvard dhe MIT, në një udhëheqës të përfshirë në një rrjedhë impulsesh të pakontrolluara.

“Dëmi që ai i ka shkaktuar shoqërisë izraelite është i papërshkrueshëm. Ai e di çfarë po bën, por është përfshirë në rrjedhën e ujërave… si një degë peme që nuk ka asnjë kontroll mbi veten”- shton ai.

Takimet sekrete me vajzën e madhe dhe frika nga gruaja aktuale

Një nga pikat më të errëta të dëshmisë së tij është trajtimi i Noas, vajzës së madhe të Netanjahut. Piker rrëfen se si ai shërbente si “mbulesë” për takimet sekrete mes babait dhe vajzës në kafenetë e Jerusalemit, vetëm që këto vizita të mos zbuloheshin nga gruaja e tij aktuale Sara.

“Disa nga takimet me Noan u zhvilluan nën maskën e takimeve me mua. Unë qëndroja jashtë lokalit si roje”- tregon ai, duke e cilësuar si “poshtëruese” injorimin publik të vajzës që ka nga martesa e parë.

Psikologjia e “mbretit” që nuk paguan kurrë

Në intervistën e tij, Piker nuk kursen as analizën mbi karakterin e Netanjahut, i cili sipas tij është i mbrujtur me një ndjenjë hyjnore të pushtetit. Ai kujton se si nëna e ”Bibit” i pëshpëriste në vesh që në moshën 15-vjeçare se një ditë do të bëhej kryeministër.

“Sipas pikëpamjes së tij Bibi ka lindur për të qenë mbret. Dhe një mbret nuk paguan për asgjë”- shpjegon Piker, duke treguar se si ai vetë ka paguar gjithmonë në restorante pasi Netanjahu nuk mbante kurrë para me vete.

Sipas tij, kjo “kopraci’ lidhet me bindjen e tij se bota i detyrohet gjithçka. Sa i përket dhuratave të famshme (Dosja penale 1000), Piker zbulon edhe një tjetër anë të errët: “Mund t’ju them se i jepnin dhurata… dhurata të dorës së dytë, nga të cilat ndonjëherë harronin t’u hiqnin etiketën origjinale që ishte menduar për dikë tjetër”.

Ai shton se pasioni i Netanjahut për purot e shtrenjta dhe jetën luksoze në kurriz të miliarderëve, është një “enigmë” e një njeriu që ka para, por që nuk pranon t’i ekspozojë ato.

Hija e Sarës dhe izolimi

Për Piker, ndikimi i Sara Netanjahut është absolut tek ai: “Ajo ushtron shumë ndikim, është e përfshirë në gjithçka dhe ndërhyn shpesh në vendimet që merr”. Gabi tregon se si mjedisi i tij ka ndryshuar, duke u rrethuar nga njerëz që dikur nuk do ta kalonin kurrë pragun e zyrës së tij.

“Rrethi i tij i afërt ka ndryshuar shumë… Është fyerje për ish-këshilltarët e tij të përmenden krahas njerëzve që e rrethojnë sot”- nënvizon ai. Sot, Piker e sheh ish-mikun e tij si një njeri të izoluar, i cili çdo veprim e llogarit vetëm për mbijetesë politike. “Sot ai po sillet si një mashtrues, por një mashtrues jo i sofistikuar. Mendoj se do të përfundojë i poshtëruar në mënyrën më brutale”- tha ai. /tesheshi