Islami, siguria dhe vdekja

Nexhat Ibrahimi

Ndjenja e sigurisë

Njëra nga nevojat themelore të njeriut është ndjenja e sigurisë. Ndjenja e sigurisë është nevojë psikologjike, e cila duhet të plotësohet sikurse edhe sendërtimi i harmonisë dhe e pajtimit personal. Sikur që dimë, nevojat e njeriut janë dy llojesh: fizike dhe psikologjike.

Nevojat fizike përfshijnë nevojën për ujë, ushqim dhe ngrohtësi. Nevojat psikologjike përfshijnë nevojën për përkatësi, siguri dhe simpati apo anim ndaj tjetrit. Nëse nevojat fizike nuk plotësohen, zakonisht çështja përfundon me shkatërrimin e trupit. Nga ana tjetër, nëse nevoja psikologjike nuk është plotësuar, kjo zakonisht çon në çrregullime psikologjike, në mungesën e kënaqësisë, të kujdesit dhe në çrregullimet e ndryshme në mirësjellje.

Harmonia e brendshme

Islami e thekson moralitetin dhe etikën, sepse njeriu ka më shumë nevoja se sa për ushqimin për jetë të hareshme. Njeriu ka nevojë për harmoninë e brendshme. Njeriu është trup dhe shpirt, ai nuk është vetëm trup apo vetëm shpirt. Prandaj, njeriu ka nevojë për atë që i plotëson nevojat e tij trupore dhe shpirtërore. Islami i jep njeriut ndjenjën e sigurisë. Kjo ndjenjë ndërtohet ne mënyra të ndryshme.

Vdekja nuk është fund

Islami i mëson besimtarët se vdekja nuk është fundi i jetës, se kjo jetë është vetëm një fazë, se ekziston jeta tjetër pas vdekjes, se vdekja është urë ndërmjet dy jetëve dhe se vdekja është pika lëvizëse e jo përfundimtare. Kjo domethënë se muslimani beson se jeta e tij është e pandërprerë. Ky besim i jep njeriut ndjenjën e sigurisë. Si mund të ndihet i sigurt personi i cili beson se vdekja është fundi i tij? Islami na flet që mos të brengosemi, të bindur se do të vazhdojmë të jetojmë edhe pas vdekjes, edhe pse në një mënyrë tjetër. Kjo bindje e qetëson personin. Muslimani nuk i frikësohet vdekjes, sepse ai e di se vdekja është fazë kalimtare, e jo fundi i jetës. Nëse njeriu nuk beson në botën tjetër, atëherë njeriu do të frikësohet rëndë edhe me vetë idenë e vdekjes. Ai gjithashtu do të jetë nën presion të madh që të vrapojë pas parasë dhe epsheve, sepse mendon se kjo jetë është rasti i vetëm dhe i fundit. Ky presion do ta privojë njeriun nga harmonia, siguria dhe baraspesha e tij e brendshme.

Jeta tjetër

Muslimani beson në jetën pas vdekjes, domethënë në jetën tjetër. Kjo e kënaq dhe e bën të sigurt. Ai ndihet i sigurt në pandërprershmërinë e jetës. Ai ndihet i sigurt sa i përket veprave të tij në këtë jetë: e di se do të shpërblehet për veprat e tij të mira, për këmbëngulësinë e tij, për mirësjelljen dhe sakrifikimin e tij. Muslimani ndihet i sigurt në pikëpamje të vazhdimësisë së jetës së tij dhe në pikëpamje të drejtësisë së Allahut. Kjo ndjenjë do ta eliminojë dëshpërimin, pikëllimin, pashpresën dhe brengosjen, kurse do të bëjë njeriun më optimist, më aktiv dhe më vetëmohues.

Mëshira e Allahut

Islami e mëson besimtarin se Allahu është më i mëshirshmi. Ky koncept i mëshirës së Allahut është thelbësor në Islam. Mëshira e Allahut ndikon te muslimani në dy mënyra: me shembull dhe me falje. Nëse Allahu është i mëshirshëm edhe njeriu duhet të jetë i mëshirshëm. Njeriu duhet të jetë i mëshirshëm ndaj njerëzve të të gjitha racave dhe feve. Njeriu duhet të jetë i mëshirshëm edhe ndaj shtazëve. Njeriu duhet të jetë i mëshirshëm ndaj meshkujve dhe femrave të tjera, ndaj kushërinjve dhe të huajve, ndaj prindërve dhe fëmijëve dhe ndaj të gjitha qenieve. Kjo atmosferë e mëshirës në Islam i ofron njeriut ndjenjë sigurie, sepse mëshira është diç që ti i jep tjetrit dhe tjetri ta jep ty. Sikur të gjithë të ishin të mëshirshëm në mënyrën e vet, të gjithë do ta gëzonin mëshirën dhe do të ndiheshin të sigurt në pikëpamje të jetës, nderit, të drejtave dhe pronës së vet.

Mëshira e Allahut vepron në mënyrë tjetër. Kur njeriu gabon, ai nuk është eliminuar përgjithmonë nga bekimi i Allahut. Në Islam, nëse gabon, dyert e faljes së Allahut janë të hapura. Nëse gabon dhe pendohesh sinqerisht, Allahu të falë. Formula e këtillë e Allahut e mëshirës dhe e faljes e bënë muslimanin të sigurt në lidhjen e tij me Allahun dhe të sigurt në kodin e tij moral dhe të ardhmen morale.

Mëshira njerëzore

Këtë koncept të mëshirës së Allahut dhe ndërnjerëzore Islami e ka theksuar. Kur muslimani ha, ai flet duke thënë: Bismi’l-lahi’rr-rrahmani’rr-rrahim (“Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”). Kur muslimani lexon apo reciton Kur’an, e fillon me theksimin e mëshirës së Allahut. Në namaz dhe lutje muslimani e thekson mëshirën e Allahut shumë herë për çdo ditë.

Kështu muslimani e përsërit këtë koncept të mëshirës shumë herë brenda ditës. Muslimani jeton në atmosferën e mëshirës, si fizike ashtu edhe psikike. Muslimani është i udhëzuar drejt ndjenjës se Zoti është më i mëshirshmi dhe se vëllezërit e tij në fe janë të mëshirshëm. Nëse raportet personale me Allahun dhe njerëzit janë të kontrolluar me mëshirë, kjo do ta bëjë të sigurtë në të tanishmen dhe në të ardhmen.

Besimi në Allahun

Besimi në Allahun i ofron njeriut ndjenjën e sigurisë. Si mund të ndihet personi i sigurt, nëse nuk beson në Allahun? Hulumtimet kanë treguar se çrregullimet mentale paraqiten te mosbesimtarët më shpesh dhe më seriozisht se sa te besimtarët. Mosbesimtari nuk është i sigurt në asgjë. Ai nuk është i sigurt në fillimin e tij, në përfundimin e tij apo në synimet e tij. Mosbesimtari nuk është i sigurt në vlera, ideale, në të mirëfillten, të gabuarën, të mirën apo të keqen. Mosbesimtari zakonisht është personi skeptik, i shqetësuar, konfuz dhe i hamendur.

E kundërta e tij, muslimani e di si është nxënë. Muslimani e di si do të zhvillohet jeta e tij. Muslimani e di qindpërqind çka është e mirë dhe çka e keqe. Muslimani është i sigurt për veten, jetën e tij, universin, raportet e tij shoqërore, për të drejtat e tij dhe obligimet e tij. Muslimani është i sigurt për idealet dhe vlerat e tij.

Siguria në vlerat

Siguria e muslimanit në vlerat dhe idealet e tij buron nga kodi i tij gjithëpërfshirës moral i dhuruar njeriut nga Zoti. Kur personi ka vlera të qarta, ideale të qarta, fillim dhe përfundim të qartë, ai ndihet i sigurt, sepse e di ku shkon dhe si shkon. Vijmë deri te të dhënat më specifike, nëse i kundrojmë disa mjedise joislame, shohim se atje janë personat me çrregullime mentale si dukuri e shpeshtë. Kjo është pasojë e mungesës së besimit në këto mjedise. Pa besim, njeriu ndihet i humbur, i papërkrahur dhe ndien se nuk ka qëllim më të rëndësishëm. Nga ana tjetër, me besimin në Allahun, njeriu ndihet i sigurt, sepse ndien se udhëhiqet dhe përkrahet nga Allahu dhe se ka rol të rëndësishëm.

Kështu Islami e furnizon njeriun me siguri psikologjike, e cila i duhet. Islami e furnizon njeriun me siguri nëpërmjet vazhdimësisë së jetës, nëpërmjet mëshirës së Allahut dhe nëpërmjet udhëzimit të Allahut. Kur e di se jeta jote është e vazhdueshme, ndihesh i sigurt, kur e di se Allahu është më i mëshirshmi, ndihesh i sigurt. Kur e di se Allahu udhëzon dhe i mbron ata të cilët besojnë në Të, ndihesh i sigurt.

Shkëputur nga: Dr. Muhammed Ali El-Hulij, Nevoja për Islamin.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi