Kërkimi i faljes nga Allahu i Lartësuar (istigfari) është një nga portat më madhështore të mëshirës hyjnore, në të cilat kanë thirrur profetët, në krye të tyre Nuhu (a.s), i cili iu drejtua popullit të tij me butësi dhe urtësi, duke i nxitur që të largohen nga mëkatet dhe të kthehen tek Zoti i tyre, në mënyrë që të sigurojnë për veten e tyre të mirat dhe begatitë. Ajetet fisnike shpalosin një aspekt të madh të mëshirës së Allahut ndaj robërve të Tij dhe japin një dëshmi të qartë për ndikimin e pendimit në përmirësimin e zemrave dhe ndërtimin e jetës, duke përmbajtur mësime të thella edukative dhe besimore.
Nuhu (a.s) i nxiti njerëzit e tij drejt istigfarit, që mbi ta të zbresin të mirat. Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe u thashë: Kërkoni falje nga Zoti juaj, se vërtet Ai është Falës i Madh. Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm nga qielli, do t’ju shtojë pasuritë dhe fëmijët, do t’ju japë kopshte dhe do t’ju japë lumenj.”[1]
Pas thirrjes së parë të Nuhut (a.s) drejtuar popullit të tij, këmbënguljes së tyre në mohimin, shthurjen dhe kundërshtimin, si dhe arrogancës së tyre për ta ndjekur të dërguarin e Zotit të tyre, ata tashmë ishin të njohur me përmbajtjen e thirrjes së tij. Mendjet e tyre nuk ishin të zbrazëta nga shtyllat e besimit, shtyllat e Islamit dhe parimet themelore të fesë. Pas përçimit të mesazhit, atyre nuk u mbeti më asnjë justifikim; u bënë mohues mëkatarë me vullnet të vendosur dhe qëllim të qartë. Domosdoshmërisht, Nuhu (a.s) ua kishte sqaruar se ata ishin mohues e mëkatarë, prandaj ai kaloi nga thirrja në parimet e besimit dhe shtyllat e Islamit, drejt sqarimit të asaj që kërkohej prej tyre: braktisja e mëkateve në të cilat ishin zhytur, nga mohimi e deri te çdo formë shthurjeje dhe kundërshtimi.
Ai i nxiti drejt istigfarit dhe pendimit tek Allahu i Madhëruar, duke sqaruar se Allahu e pranon pendimin e tyre, sado të mëdha të jenë mëkatet dhe sado të shumta të jenë gabimet. Ai sikur i thonte atyre: mos i bëni mëkatet tuaja të shumta pengesë mes jush dhe pendimit. Për këtë arsye erdhi shprehja me theksim të madh: “Ai ishte Falës i Madh”, për t’i nxitur, për t’i inkurajuar dhe për t’ua zgjuar vullnetin. Për shkak të mëkateve të tyre të shumta, atyre u ishte ndaluar shiu nga qielli, toka ishte bërë e thatë dhe shpirtrat e tyre ishin ngushtuar.
“Dhe u thashë: kërkoni falje nga Zoti juaj, se Ai ishte Falës i Madh.” Që do të thotë: u thashë atyre të kërkojnë nga Allahu falje për mëkatet tyre. Është e ditur se falje nga Allahu kërkon vetëm ai që ka besim të saktë dhe që heq dorë nga mëkatet. Pra, ai i thërriste të largoheshin nga mohimi, shthurja dhe kundërshtimi në të cilat ndodheshin dhe, pas kësaj, t’i drejtoheshin Allahut me kërkim faljeje.
Në fjalët e Nuhut (a.s) dhe përkujtimin e tij për rëndësinë e istigfarit, si dhe në përdorimin e shprehjes “Zoti juaj”, vërehet një domethënie e qartë edukative. Fjal “Rabb” e përdorur në këtë kontekst nënkupton se Allahu është Pronari dhe Rregulluesi; kuptimi i fjalës së Allahut “Zoti i botëve” përfshin administrimin, rregullimin dhe zbatimin e urdhrit të Tij në çdo çast: Ai krijon dhe furnizon, jep jetë dhe e merr atë, ul dhe ngre, jep dhe ndalon, nderon dhe poshtëron, dhe i rregullon të gjitha çështjet sipas vullnetit dhe urtësisë së Tij. Mohimi i kësaj është mohim i zotërimit, hyjnizimit dhe sundimit të Tij.
Zoti është Ai që i kujdese për të gjithë robërit e Tij me përkujdesje dhe begati të ndryshme; dhe në mënyrë më të veçantë, Ai kujdeset për të zgjedhurit e Tij duke ia përmirësuar zemrat, shpirtrat dhe moralin. Për këtë arsye, lutjet e tyre me këtë emër fisnik janë të shpeshta, sepse ata kërkojnë prej Tij një përkujdesje të veçantë.
Në thelb, fjala “rabb” nënkupton edukimin dhe zhvillimin e diçkaje shkallë-shkallë deri në plotësim, duke përfshirë kuptimin e përkujdesjes, dhembshurisë dhe mbrojtjes. Nuhu (a.s), në jetën dhe thirrjen e tij, e kishte gjithmonë të pranishëm këtë emër, si në adhurim ashtu edhe në thirrje, siç shfaqet qartë në fjalën e Allahut: Ai tha: O Zoti im, unë e thirra popullin tim natë e ditë dhe u thashë: Kërkoni falje nga Zoti juaj, se Ai ishte Falës i Madh. Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm nga qielli – domethënë: do të zbresë mbi vendet tuaja shira të dendur dhe të vazhdueshëm. Në këtë kontekst është përdorur fjala “dërgon” në vend të fjalës “zbret”, për shkak të kuptimit të misionit të përcaktuar, që bart me vete dërgimi, një zgjedhje stilistike me qëllim retorik.
Qielli është përdorur me kuptimin e shiut, sepse retë janë në lartësi; çdo gjë që është mbi njeriun quhet “qiell” në gjuhë. “Mbi ju” mbi tokat, vendet dhe arat tuaja, për dobinë tuaj dhe për ujitjen e bagëtive tuaja.
“Të bollshëm” domethënë shira të vazhdueshëm dhe të shumtë, që sjellin begati, pjellori, prodhim, qetësi dhe stabilitet.
“Dhe do t’ju shtojë pasuritë dhe fëmijët” d.m.th pasuria dhe fëmijët janë ndër kërkesat më themelore të njeriut në këtë botë dhe janë stolia e saj. Përmendja e pasurisë përpara fëmijëve lidhet me realitetin e popullit të Nuhut (a.s), ndërsa në ajete të tjera Kurani pasqyron renditje të ndryshme sipas natyrës njerëzore, dhe këto tekste plotësojnë njëra-tjetrën në përshkrimin e gjendjes së njerëzve.
“Dhe do t’ju japë kopshte dhe do t’ju japë lumenj” pra, do t’ju japë begati në këtë botë dhe në botën tjetër. Kush i përmbahet istigfarit, Allahu i krijon atij rrugëdalje nga çdo brengë dhe lehtësim nga çdo vështirësi.
Angazhimi në bindje ndaj Allahut është shkak për shtimin e begatisë, hapjen e dyerve të mirësive, rënien e shirave, shtimin e prodhimeve dhe bollëkun e fryteve. Allahu u premtoi atyre – nëse bindeshin dhe kërkonin falje – pesë gjëra: shiun, pasurinë, fëmijët, kopshtet dhe lumenjtë.
Nga Haseni el-Basriu transmetohet se një njeri iu ankua për thatësirën dhe ai i tha: kërko falje Allahut. Një tjetër u ankua për varfërinë, një tjetër për mungesën e fëmijëve dhe një tjetër për pakësimin e prodhimit të tokës; të gjithëve u tha: kërkoni falje Allahut. Pastaj ai recitoi ajetin: “Kërkoni falje nga Zoti juaj”.
Njerëzit janë të prirur nga natyra drejt të mirave të menjëhershme; për këtë arsye, Nuhu (a.s) i nxiti ata me premtime konkrete. Ky ajet është dëshmi se me istigfar zbresin furnizimi dhe shiu. Transmetohet se Omeri (r.a) doli për t’u lutur për shi dhe nuk shtoi gjë tjetër përveç istigfarit; kur u kthyen nga vendi i faljes, filloi të binte shi me gjyma.
Pendimi dhe kërkimi i faljes janë nga shkaqet e begatisë së individit dhe shoqërisë. Allahu i Lartësuar e ka lidhur në Librin e Tij istigfarin dhe pendimin me zbritjen e shiut, shtimin e forcës, fëmijëve dhe furnizimit të mirë. Kjo tregon lidhjen e pandashme mes vlerave besimore dhe jetës materiale; jeta nuk mund të japë frytet e saj pa këto vlera. Nëse ndonjëherë duket sikur kjo nuk zbatohet, kjo është vetë sprova, siç thotë Allahu: “Ne ju sprovojmë me të keqe dhe me të mirë si provë.”[2]
Mirëqenia që nuk mbështetet në besim është një mirëqenie e rreme dhe e përkohshme, e gërryer nga padrejtësia, shthurja morale dhe dhunimi i dinjitetit njerëzor, sakaq shoqëritë moderne janë dëshmi e qartë për këtë realitet.
Autor: Ali Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Nuh: 10-12.
[2] – Sure Enbija: 3.







