Itali, fundoset varka me 32 persona në Lampedusa: 4 të zhdukur, mes tyre edhe 2 fëmijë

Një varkë 6 metra e ngarkuar me emigrantë u mbyt në Lampedusa të dielën në mbrëmje.

Roja bregdetare arriti të shpëtojë 32 persona, duke përfshirë tri gra.

Megjithatë, janë katër persona të tjerë të zhdukur: dy burra dhe dy fëmijë, një 6 muajsh dhe një 6 vjeç, prindërit e të cilëve u nxorën në breg.

Refugjatët nga varka e vogël e mbytur u gjetën nga njerëzit e patrullës CP327 të rojës bregdetare.

Pas ngjarjes në det jashtë ishullit të tij, kryetari i bashkisë së Lampedusa dhe Linosa, Filippo Mannnino, kërkoi ndihmë nga Evropa dhe paralajmëroi:

“Ka shumë heshtje dhe shumë palëvizshmëri përreth për këta të vdekur. Evropa duhet të ndërhyjë. Duhet të ndryshojmë menjëherë rregulloren e Dublinit dhe kemi nevojë për bashkëpunim mes shteteve anëtare”.

Ndërkohë, ekipet e Médecins Sans Frontières që punonin në Geo Barents kryen një operacion të ri shpëtimi duke shpëtuar 90 persona, përfshirë mbi 35 të mitur dhe pesë gra, të cilët po udhëtonin me një gomone.

Tani në bordin e anijes janë 164 të mbijetuar, duke përfshirë 14 gra dhe rreth 50 të mitur të pashoqëruar, më i riu prej të cilëve është vetëm 10 vjeç.

Disa orë më parë, 74 emigrantë të tjerë u shpëtuan në brigjet e Libisë nga MSF e Geo Barents, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

Personat, thanë zyrtarët e Médecins Sans Frontières, janë të rraskapitur pasi kanë qëndruar në ujë për 15 orë në kushte shumë të vështira moti.