Një vendim i qeverisë Meloni që tregon vijimin e zgjimit europian
Italia nuk do ta rinovojë marrëveshjen e mbrojtjes me Izraelin, deklaroi kryeministrja Giorgia Meloni. Ajo tha se qeveria ka vendosur të pezullojë rinovimin e marrëveshjes – që zakonisht ndodh çdo pesë vjet – “duke pasur parasysh situatën aktuale”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Marrëdhëniet mes Romës dhe Tel Avivit, historikisht të forta, janë përkeqësuar kohët e fundit. Javën e kaluar, Italia thirri ambasadorin izraelit pasi forcat izraelite qëlluan me të shtëna paralajmëruese ndaj një konvoji paqeruajtësish italianë të OKB-së në Liban.
Nga incidenti u dëmtua një automjet, por nuk pati të lënduar. Ndërkohë, të hënën, Izraeli thirri ambasadorin italian për të protestuar ndaj deklaratave të Ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani, i cili dënoi “sulmet e papranueshme” ndaj civilëve në Liban.
Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes thanë për BBC-në se po shqyrtohen ende pasojat konkrete të këtij vendimi në bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI),
Italia është eksportuesi i tretë më i madh i armëve drejt Izraelit. Megjithatë, kjo përbën vetëm 1.3 për qind të importeve totale izraelite për periudhën 2021-2025, ndërsa SHBA-ja dhe Gjermania mbeten furnizuesit kryesorë. Disa vende evropiane kanë kufizuar ose ndaluar eksportet e armëve drejt Izraelit gjatë operacioneve ushtarake në Gaza.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, mbi 72.000 persona kanë humbur jetën nga operacionet ushtarake izraelite. Gjatë viteve të fundit, shumë qytetarë italianë i kanë kërkuar qeverisë të ndërmarrë hapa të ngjashëm, me protesta dhe greva në mbarë vendin.
Megjithatë, qeveria e koalicionit të djathtë e Melonit mbeti një nga aleatet më të afërta të Izraelit në Evropë dhe ka refuzuar të njohë shtetësinë palestineze. Në fund të marsit, kampi i saj humbi një referendum mbi reformën në drejtësi, çka u interpretua si një sinjal i rënies së mbështetjes publike për qeverinë.
Teksa po afrohen zgjedhjet parlamentare, Meloni duket se po ndryshon retorikën për t’u distancuar nga disa qëndrime të mëparshme. Ajo e ka përshkruar përshkallëzimin e konfliktit SHBA-Izrael me Iranin si pjesë të një prirjeje të rrezikshme ndërhyrjesh jashtë kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
Po ashtu, ajo kritikoi presidentin amerikan Donald Trump për komentet e tij ndaj Papa Leo XIV, duke i cilësuar ato “të papranueshme” dhe duke shprehur solidaritet me Papën. Trump reagoi duke thënë se ishte “i shokuar” nga qëndrimi i saj dhe vuri në dyshim gjykimin e saj për çështjet e sigurisë.
Analistët vlerësojnë se tensionet me SHBA-në dhe ndryshimi i tonit ndaj Izraelit mund të lidhen me përpjekjet e Melonit për të rifituar mbështetjen e elektoratit. Në të kaluarën, afrimiteti i saj me Trumpin konsiderohej një avantazh.
Por me rënien e popullaritetit të tij, kjo lidhje mund të kthehet në një barrë politike. Sipas një sondazhi të fundit, shumica e italianëve kanë një opinion negativ për SHBA-në. Pas deklaratave të Trump, aleatët e Melonit e mbrojtën atë.
Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, theksoi se aleanca me SHBA-në mbetet e bazuar në “besnikëri, respekt dhe ndershmëri të ndërsjellë”. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh se të jesh aleat nuk do të thotë të pranosh gjithçka në heshtje, por të thuash qartë atë që beson se është e drejtë. /tesheshi





