Izrael, Rivalët e Kryeministrit Netanyahu arrijnë marrëveshje për koalicion

Yair Lapid dhe partneri i tij kryesor në koalicion, Naftali Bennett

Rivalët politikë të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftuan se kanë arritur marrëveshje për të formuar një koalicion qeverisës, duke mundësuar largimin nga pushteti të z. Netanyahu.

Njoftimi nga udhëheqësi opozitar Yair Lapid dhe partneri i tij kryesor në koalicion, Naftali Bennett, u bë pak sekonda para mesnatës kur skadonte afati për marrëveshje dhe vendi do të kalonte zyrtarisht në sezon zgjedhjesh për të pestën herë në dy vjet.

Në një deklaratë në Twitter, z. Lapid tha se e kishte informuar presidentin e vendit për marrëveshjen. “Kjo qeveri do të punojë për të gjithë qytetarët e Izraelit, ata që votuan për të dhe ata që nuk votuan për të. Do të bëjmë ç’është e mundur për të bashkuar shoqërinë izraelite,” tha ai.

Në bazë të marrëveshjes, Lapid dhe Bennett do të ndajnë detyrën e kryeministrit me rotacion. Z. Bennett do të shërbejë si kryeministër gjatë dy viteve të para, ndërsa z. Lapid në dy vitet e fundit të mandatit. Marrëveshja historike përfshin edhe një parti të vogël islamiste, Listën e Bashkuar Arabe, gjë që shënon të parën herë që një parti arabe përfshihet në një koalicion qeverisës në Izrael.

Marrëveshja duhet të miratohet nga Knesseti, parlamenti izraelit, në një votim që pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Nëse miratohet, z. Lapid dhe partnerët e tij në koalicion do t’i japin fund qeverisjes 12 vjeçare të z. Netanyahu.

Z. Netanyahu, në përpjekje të ethshme për të mbajtur pushtetin ndërkohë që ndeshet edhe me akuza për korrupsion, pritet të përdorë taktika të forta për të mos lejuar koalicionin të vijë në pushtet. Nëse nuk ia arrin, ai do të jetë pjesë e opozitës izraelite. /voa