Izrael, rivalët e kryeministrit Netanyahu vazhdojnë përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës

Yair Lapid

Një grup partishë politike në Izrael, të cilat kërkojnë të largojnë nga pushteti kryeministrin Benjamin Netanyahu, zhvilluan të hënën një takim për të bërë marrëveshje qeverisëse, dy ditë para se të përfundojë afati që ato kanë në dispozicion.

Kreu i opozitës Yair Lapid tha në një takim të partisë së tij “Yesh Atid” se “shumë pengesa” ishin para deri në arritjen e një marrëveshjeje, por ai theksoi se anëtarët e ndryshëm të koalicionit anti-Netanyahu po përpiqen “të shohin nëse mund të gjejmë në ditët në vijim kompromise të mençura për hir të qëllimit të madh”.

Z. Lapid u ngarkua nga presidenti i vendit për të formuar një qeveri, në fillim të këtij muaji pasi z. Netanyahu dështoi ta formonte qeverinë pas zgjedhjeve të 23 marsit. Këto ishin zgjedhjet e katërta të zhvilluara në dy vjet.

Të dielën, Naftali Bennett, kreu i partisë së vogël “Yamina”, tha se ai do të punonte me z. Lapid për të formuar një qeveri të unitetit të gjerë dhe “për të kthyer Izraelin në rrugën e tij”. Z. Lapid tashmë ka siguruar mbështetjen e dy partive më të vogla liberale dhe një fraksioni ultranacionalist.

Z. Bennett dhe z. Lapid tani kanë kohë deri ditën e mërkurë për të arritur një marrëveshje dhe sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press” posti i kryeministrit do të ndahet mes dy udhëheqësve (Z. Bennett do të qëndrojë kryeministër për dy vitet e para, më pas drejtimin do ta marrë z. Lapid).

Asnjë parti politike nuk ka fituar kurrë një shumicën për të qeverisur e vetme në parlamentin e Izraelit me 120 vende. Kështu vazhdimisht partitë kanë bërë koalicione për të arritur shumicën me 61 vende.

Sipas “Associated Press” nëse z. Lapid dhe aleatët e tij, të cilët variojnë nga nacionalistë të vijës së ashpër deri tek një parti e vogël islamike, mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe të nënshkruajnë një marrëveshje, kjo do të sillte fundin e sundimit të z.  Netanyahu.

Benjamin Netanyahu është kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, që ka mbajtur detyrën që nga viti 2009, si dhe një post të shkurtër në fund të viteve 1990. Ai ka qëndruar në pushtet pavarësisht se është akuzuar për mashtrim dhe ryshfet në vitin 2019. Netanyahu ka mohuar çdo shkelje dhe ka refuzuar të tërhiqet nga detyra ndërsa është në gjyq.

Izraeli ka mbajtur katër zgjedhje parlamentare në dy vitet e fundit, të gjitha shihen si një referendum mbi aftësinë e tij për të qeverisur.

Pasi z. Bennett njoftoi synimin e tij për të bashkuar forcat opozitare, kryeministri Netanyahu në një fjalim në televizion kombëtar tha se një qeveri e tillë “është një rrezik për sigurinë e Izraelit dhe është gjithashtu një rrezik për të ardhmen e shtetit”.

Z. Lapid iu përgjigj komenteve të z. Netanyahut të hënën, duke thënë se ato ishin “të pamatura dhe të rrezikshme, nga një njeri që ka humbur frenat”. /voa