Izrael, vazhdojnë protestat kundër planit të qeverisë për reforma në gjyqësor

Mijëra izraelitë pritet të marrin pjesë sot në protestat “Dita e Rezistencës” për të kundërshtuar planin e qeverisë për reforma në gjyqësor, të cilat opozita i sheh si një përpjekje për të ulur kompetencat e autoritetit gjyqësor në favor të autoritetit ekzekutiv, raporton Anadolu.

Tubimi kryesor do të zhvillohet në qendër të Tel Avivit ku rreth 3.000 policë janë vendosur për të parandaluar protestuesit që të bllokojnë rrugët.

Transmetuesi publik izraelit KAN citoi ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir të ketë thënë se policia nuk do të lejojë bllokimin e rrugëve kryesore, përfshirë ato që çojnë në aeroportin “Ben Gurion” në Tel Aviv.

Ai shtoi se është vendosur gjobë prej 500 shekelësh izraelitë (140 dollarë) për çdo shofer që kapet duke drejtuar ngadalë me dashje për të shkaktuar probleme në trafik.

Ben-Gvir i dha udhëzime policisë që të përdorë “dorën e hekurt” kundër protestuesve që bllokojnë rrugët.

Në dy muajt e fundit, mijëra izraelitë kanë dalë në rrugë për të protestuar ndaj planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahut për reforma në drejtësi. Reformat e propozuara nga ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, nëse miratohen, do të ishte ndryshimi më radikal ndonjëherë në sistemin e qeverisjes në Izrael.

Ndryshimet e planifikuara do të kufizonin ndjeshëm autorizimet e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë ndërsa do t’i jepte qeverisë autorizimin për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe do t’i jepte fund emërimit të këshilltarëve ligjorë në ministri nga prokurori i përgjithshëm.

Megjithatë, Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, insiston se plani i tij gjyqësor do të përmirësonte demokracinë.