Izraeli bombardon një shtëpi në kampin e refugjatëve Jabalia, vriten 5 palestinezë

Ushtria izraelite bombardoi në një shtëpi në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës ku si pasojë mbetën të vrarë 5 palestinezë, raporton Anadolu.

Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi në lagjen Fakhura, në perëndim të kampit të refugjatëve Jabalia.

Të paktën 5 palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën nga sulmi. Të plagosurit u transferuan në Spitalin Ehli Baptist, i vetmi spital që vepron në veri të Rripit të Gazës.

Sipas burimeve lokale, ushtria izraelite bastisi zonën përreth spitalit Kemal Advan në qytetin Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës, i cili ishte nën sulm intensiv. Raportohet se automjetet ushtarake izraelite përparuan afër spitalit.

Personeli mjekësor dhe personat e plagosur nuk kanë mundur të largohen nga spitali për shkak të bombardimeve intensive nga ushtria izraelite.

Mbrojtja Civile në Gaza në një deklaratë më 19 maj njoftoi se Spitali Kemal Adwan në Beit Lahiya mbeti jashtë shërbimit si rezultat i kërcënimeve dhe bombardimeve të ushtrisë izraelite në rrethinën e spitalit.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 35.800 palestinezë, përfshirë të paktën 15.239 fëmijë dhe 10.093 gra ndërsa 80.200 u plagosën.