Ushtria izraelite do të nisë sulm tokësor në Rafah ku janë strehuar 1.5 milion palestinezë të zhvendosur në jug të Rripit të Gazës nëse në “ditët e ardhshme” nuk shënohet përparim në negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit, transmeton Anadolu.
Në lajmet e publikuara në radion e ushtrisë izraelite janë bërë vlerësime lidhur me negociatat indirekte që vazhdojnë mes tel Avivit dhe Hamasit për shkëmbimin e pengjeve.
Në lajmin që bazohet në burime të paidentifikuara të sigurisë thuhet se ushtria izraelite do të nisë sulmin tokësor ndaj qytetit Rafah ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur nëse në “ditët e ardhshme” nuk shënohet përparim në negociatat për shkëmbimin e pengjeve.
Negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë në mënyrë indirekte. Në lajmet e paraqitura dje në mediat egjiptiane thuhej se delegacioni i Hamasit është larguar nga Kajro dhe se përgjigjen ndaj propozimit për marrëveshjen e armëpushimit do ta japë me shkrim.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron dje në Rijad deklaroi se Hamasit i është propozuar 40 ditë armëpushim dhe lirimi i mijëra pengjeve palestineze në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite.
– Sulmi i mundshëm i Izraelit në Rafah
Qyteti Rafah i vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, të paktën 1.9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë.
Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite, u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli ka pretenduar më parë se “ishte i sigurt”. Bashkë me të zhvendosurit nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah është rritur më shumë se 4 herë, duke arritur në gati 1.5 milion.
Për shkak të mungesës së banesave të mjaftueshme, një pjesë e madhe e palestinezëve që janë strehuar në Rafah po luftojnë për mbijetesë në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara. Ushtria izraelite shpeshherë shënjestron qytetin Rafah me sulme ajrore. Ka shqetësime se civilëve nuk do t’u mbetet më vend për t’u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor në Rafah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka përsëritur shumë herë se ka miratuar planin për sulm në Rafah, në një deklaratë më 8 prill tha se është caktuar data për sulmin. Televizioni shtetëror izraelit KAN ka njoftuar se ushtria izraelite do të fillojë “shumë shpejt” sulmin tokësor në Rafah.