Forcat izraelite kanë filluar një ofensivë të re të zgjeruar në Rripin e Gazës, e quajtur “Qerret e Gideonit”, duke intensifikuar ndjeshëm sulmet ajrore në të gjithë territorin.
Sipas ushtrisë izraelite, ky operacion synon lirimin e pengjeve dhe përfshin sulme të përqendruara që do të shoqërohen me futjen e mëtejshme të trupave tokësore – duke filluar nga veriu, në drejtim të pjesës qendrore dhe më pas në jug të Gazës. Vendndodhja përfundimtare e përqendrimit të banorëve palestinezë mbetet ende e paqartë.
Ky zhvillim vjen pasi kabineti i sigurisë së Izraelit miratoi unanimisht planet e paraqitura nga shefi i ri i shtabit të ushtrisë, i cili mori detyrën rreth dy muaj më parë dhe ka theksuar nevojën për një përshkallëzim të luftës për arritjen e objektivave strategjike.
Pak ditë më parë, kryeministri Netanyahu paralajmëroi se Gaza do të përjetojë diçka që nuk e ka parë gjatë 19 muajve të fundit të luftës.
Sipas raportimeve të Al Jazeera nga Jordania – pasi është ndaluar të raportojë nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor i pushtuar – forcat izraelite synojnë jo vetëm rezultate ushtarake, por edhe atë që vetë ushtria e quan “marrje strategjike të territorit”, duke nënkuptuar një qëllim më të gjerë për okupimin e Gazës. /mesazhi








