Izraeli kryen fluturimin e parë civil nga hapësira ajrore Oman-Arabi Saudite

Njoftohet se për herë të parë, një kompani izraelite e aviacionit civil përdori hapësirën ajrore të Omanit-Arabisë Saudite, transmeton Anadolu.

Në postimin e publikuar në llogarinë “Izraeli Arabisht” të Ministrisë së Jashtme të Izraelit në rrjetet sociale, thuhet se kompania ajrore izraelite “El Al” përdori hapësirën ajrore të Arabisë Saudite dhe Omanit për një fluturim në Lindjen e Largët.

Në deklaratë theksohet se ky fluturim, i cili u zhvillua për herë të parë, u realizua pasi administrata e Muskatit javën e kaluar njoftoi se do të hapte hapësirën e saj ajrore për aviacionin civil izraelit.

Thuhet se rruga e re shkurtoi kohëzgjatjen e një fluturimi për në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, me dy orë e gjysmë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen, përshëndeti vendimin për hapjen e hapësirës ajrore të Omanit më 23 shkurt, duke thënë: “Është ndërmarrë një hap që do të shkurtojë rrugën për në Azi, do të ulë kostot për qytetarët izraelitë dhe do t’i bëjë linjat ajrore izraelite më konkurruese”.

Theksohet se me hapjen e hapësirës ajrore të Arabisë Saudite dhe Omanit për kompanitë izraelite, kohëzgjatja e fluturimeve nga Izraeli në Azi do të shkurtohet me më shumë se dy orë dhe do të ulen çmimet e biletave.