Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se 4.713 persona janë plagosur që nga fillimi i sulmeve me raketa iraniane në fund të muajit të kaluar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se 123 persona mbeten të shtruar në spital, përfshirë 15 në gjendje të rëndë. Ministria shtoi se 153 persona u plagosën në sulmet iraniane gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë dy në gjendje serioze.
Të dhënat nga Instituti Izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare treguan se të paktën 18 izraelitë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës. Izraeli vendos censurë të rreptë mbi raportimin e viktimave të shkaktuara nga raketat e lëshuara nga Irani dhe Hezbollahu ose të kapura nga sistemet e tij mbrojtëse dhe ndalon qarkullimin e pamjeve të ndërlidhura.
Tensionet rajonale kanë vazhduar të përshkallëzohen që nga sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri tani mbi 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.
Irani ka kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.



