Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar krijimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se ky vendim synon të parandalojë krijimin e një shteti palestinez.
Sipas një njoftimi nga zyra e Smotrich, me këtë vendim numri i përgjithshëm i vendbanimeve të miratuara gjatë tre viteve të fundit ka shkuar në 69.
Miratimi i fundit vjen vetëm pak ditë pasi Kombet e Bashkuara njoftuan se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2017. Të gjitha këto vendbanime konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Në deklaratë thuhet se propozimi i paraqitur nga ministrat Bezalel Smotrich dhe Israel Katz për shpalljen dhe formalizimin e 19 vendbanimeve të reja është miratuar nga kabineti, pa u bërë e ditur data e saktë e vendimit.








