Izraeli mohon se i ka shitur armë Ukrainës

Benny Gantz

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, ka mohuar se vendi i tij i ka shitur armë Ukrainës në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk po i shesim armë Ukrainës”, tha Gantz në një intervistë me radion ultra-ortodokse hebreje ‘Kol Chai’.

Ai tha se Tel Avivi as më parë nuk i ka shitur armë Ukrainës.

Të hënën, ministri izraelit i Çështjeve të Diasporës, Nachman Shai, i bëri thirrje qeverisë izraelite që të dërgojë armë në Ukrainë në përgjigje të raporteve për dërgimin e raketave iraniane në Rusi.

“Ai gabon. Unë jam ministri i mbrojtjes që jam përgjegjës për eksportin e armëve izraelite”, tha Gantz, duke komentuar deklaratat e ministrit Shai.

Në përgjigje të deklaratës së ministrit Shai, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, paralajmëroi Izraelin kundër dërgesave të armëve në Ukrainë.

“Izraeli duket se do të furnizojë me armë regjimin e Kievit. Një hap shumë i nxituar. Ai do të shkatërrojë të gjitha marrëdhëniet ndër-shtetërore midis vendeve tona”, tha Medvedev.