Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli nënshkruan marrëveshje 2,3 miliardë dollarë për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme...

Izraeli nënshkruan marrëveshje 2,3 miliardë dollarë për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor

Izraeli nënshkroi një marrëveshje kornizë prej 8,5 miliardë shekelësh (2,3 miliardë dollarë) për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë ndërtimin e 12.000 njësive të reja banimi dhe projekte të mëdha infrastrukturore, sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu.

Televizioni izraelit Channel 14 e përshkroi marrëveshjen si një hap “gjigant” që synon zgjerimin e vendbanimeve dhe “ndryshimin e fytyrës së rajonit”.

Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni zyrtare ku morën pjesë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Tokësor të Izraelit, Yehuda Eliyahu dhe Yossi Dagan, kreu i Këshillit Rajonal Shomron, i cili mbikëqyr vendbanimet e shumta izraelite në Bregun Perëndimor verior.

Raporti tha se marrëveshja do t’i “i japë vrull të rëndësishëm” procesit të zgjerimit të vendbanimeve në rajon dhe modernizimit të infrastrukturës së tyre.

Sipas vëzhguesit izraelit kundër vendbanimeve, Peace Now, rreth 500.000 okupues izraelitë jetojnë në vendbanime të paligjshme në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përveç rreth 250.000 që jetojnë në vendbanime në Kudsin Lindor të pushtuar.

OKB-ja ka pohuar në mënyrë të përsëritur se vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se ato minojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete.

Palestinezët këmbëngulin për Kudsin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, bazuar në rezolutat ndërkombëtare që nuk njohin pushtimin e Izraelit të vitit 1967 ose aneksimin e qytetit të vitit 1980.