Izraeli shënjestron palestinezët që lëviznin nga veriu në jug të Gazës, ka të vrarë dhe të plagosur

Ministria e Brendshme palestineze njoftoi se disa persona u vranë dhe u plagosën në një sulm të ushtrisë izraelite ndaj civilëve të zhvendosur që po lëviznin drejt jugut të Gazës, raporton Anadolu.

“Ka të vdekur dhe të plagosur si pasojë e një sulmi të forcave okupuese izraelite ndaj civilëve të zhvendosur që po lëvizin drejt jugut të Rripit të Gazës”, thuhet në një deklaratë të publikuar në Telegram.

Izraeli ka bërë thirrje për evakuimin e më shumë se një milion njerëzve në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke pretenduar se ka “korridore sigurie” për kalimin e personave të zhvendosur.

Nga ana tjetër, zyrtarët palestinezë njoftuan se nuk ka asnjë korridor sigurie apo zonë të sigurt në Rripin e Gazës dhe se ushtria izraelite vazhdon të sulmojë civilët dhe spitalet.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 11.078 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i viktimave nga pala izraelite është gati 1.600.