Mungesa e presidentit azer në Samitin e Ankarasë, ka nxjerrë në pah krisjen mes dy aleatëve tradicionalë
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Azerbajxhanit po kalojnë një nga krizat më të dukshme të viteve të fundit.
Shenja më domethënëse erdhi sot, kur presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev nuk mori pjesë në samitin e Organizatës së Shteteve Turke, të organizuar në Ankara me ftesë personale të Recep Tayyip Erdoganit.
Azerbajxhani u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Jeyhun Bayramov, ndërsa mungesa e Aliyev u interpretua si një sinjal diplomatik se përplasja mes dy vendeve është më serioze nga sa paraqitet publikisht.
Në pamje të parë, shkaku i konfliktit lidhet me vendimin e Bakusë për të kufizuar mbajtjen e shamisë islame në shkollat publike. Vendimi shkaktoi reagime të ashpra nga figura politike dhe mediatike turke, të cilat e konsideruan një kufizim të lirisë fetare.
Bakuja reagoi duke i cilësuar këto qëndrime si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Madje, autoritetet azerbajxhanase shpallën persona të padëshiruar 31 shtetas turq për shkak të kritikave të tyre ndaj politikës së qeverisë.
Megjithatë, shamia duket më shumë si shkëndija që ndezi një pakënaqësi të akumuluar prej kohësh. Në qendër të saj qëndron Izraeli dhe marrëdhënia strategjike që Azerbajxhani ka ndërtuar me të, në kontrast të fortë me qëndrimin gjithnjë e më armiqësor të Erdoganit ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut.
Vizita e presidentit izraelit Isaac Herzog në Baku, më 14 tetor, ishte një demonstrim i qartë i kësaj afërsie.
Herzog dhe Aliyev diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit strategjik, ndërsa marrëdhëniet dypalëshe përfshijnë interesa të rëndësishme ushtarake, energjetike dhe të sigurisë.
Izraeli është një furnizues kryesor i armëve për Azerbajxhanin, ndërsa ky i fundit përbën një burim të rëndësishëm nafte për shtetin hebre.
Kjo marrëdhënie ka edhe një dimension ushtarak. Teknologjia izraelite, përfshirë dronët dhe pajisjet e mbikëqyrjes, ka ndihmuar ndjeshëm ushtrinë azerbajxhanase në konfliktin me Armeninë, veçanërisht gjatë luftës së vitit 2020 dhe rimarrjes së kontrollit mbi Nagorno-Karabakun në vitin 2023.
Nga ana tjetër, Erdogan e ka kthyer kritikën ndaj Izraelit dhe mbështetjen për palestinezët në një prej shtyllave të politikës së tij rajonale. Kështu, afërsia e Aliyev me Jeruzalemin është gjithnjë e më e vështirë për t’u pajtuar me ambiciet e Ankarasë për të udhëhequr politikisht botën turke dhe për të fituar ndikim në Lindjen e Mesme.
Sipas një analize të Foreign Policy, përplasja pasqyron edhe një problem tjetër: pakënaqësinë e Bakusë ndaj përpjekjeve turke për të ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen e saj sovrane.
Erdogan u përpoq të ulte tensionet duke shkarkuar këshilltarin e tij Oktay Saral, një prej kritikëve më të zëshëm të vendimit për shaminë, por mungesa e Aliyev në Ankara tregoi se gjesti nuk mjaftoi.
Për momentin, një shkëputje e plotë duket pak e mundshme. Bashkëpunimi ushtarak, energjetik dhe korridoret strategjike janë tepër të rëndësishme për të dyja palët.
Por slogani i famshëm “Një komb, dy shtete” po përballet me një provë serioze. Sa mund të zgjasë vëllazëria kur interesat strategjike të njërës palë lidhen me Izraelin, ndërsa tjetra e konsideron atë kundërshtarin kryesor rajonal? \tesheshi




